Fronti Evropian ka vendosur të ketë kandidat në të gjitha komunat ku ka shqiptarë. Këtë e konfirmoi kreu i ASH-së Ziadin Sela në deklaratë për Alsat, duke folur për planet e zgjedhjeve lokale.
“Unë ndaj bindjen dhe pjesë e marrëveshjes është që ne do të garojmë gjithandej, në të gjitha komunat, prej Likove deri në Prespë, Krushevë e Manastir. Këto janë ata që diskutohen dhe deri diku, jemi nga fundi i këtyre marrëveshjeve”, tha Ziadin Sela, Kryetar i ASH-së, Fronti Evropian.
Sela nuk e di akoma nëse do të jetë vetë ai personalisht kandidat për Strugën. Thotë se bisedimet për emrat e kandidatëve janë duke vazhduar, megjithatë shton se nuk i ikën përgjegjësisë.
“Unë nuk u kam ikur kurrë përgjegjësive prej se jam në skenën politike. Ne jemi në bisedime e sipër në kuadër të Frontit Evropian. Sipas të gjitha gjasave, kandidatura e Frontit për Strugën do t’i takojë Aleancës për Shqiptarët dhe ditët në vazhdim kur të përfundojnë të gjitha analizat ne do të dalim dhe do t’i bëjmë publike emrat e kandidaturave dhe gjithandej ku do të garojmë”, tha Ziadin Sela, Kryetar i ASH-së, Fronti Evropian.
Zgjedhjet lokale pritet të mbahen në gjysmën e dytë të muajit tetor kurse shpallja e tyre pritet të bëhet në fillim të muajit gusht./Alsat.mk





