Qeveria franceze ka ndërmarrë një nismë të re për forcimin e sigurisë kombëtare dhe integritetit të administratës shtetërore. Kryeministri francez, Sébastien Lecornu, ka firmosur një urdhër që parashikon kryerjen e testeve të papritura antidrogë për ministrat dhe zyrtarët e lartë të shtetit.
Sipas vendimit, kontrollet do të përfshijnë prefektët, ambasadorët, drejtuesit e administratës publike, rektorët e universiteteve dhe funksionarë të tjerë që kanë akses në informacione të klasifikuara ose zotërojnë certifikata sigurie. Testet do të kryhen me anë të analizave të pështymës dhe pa paralajmërim paraprak.
Autoritetet franceze argumentojnë se masa synon të shmangë çdo cenueshmëri personale që mund të shfrytëzohet nga grupe kriminale, shërbime të huaja inteligjence apo grupe presioni për të rrezikuar sigurinë e Republikës. Gjithashtu, qeveria thekson se personat që mbajnë poste me përgjegjësi të lartë duhet të jenë shembull në respektimin e ligjit dhe standardeve etike.
Për të dhënë një sinjal të qartë, kryeministri Lecornu dhe bashkëpunëtorët e tij më të afërt do të jenë të parët që do t’i nënshtrohen testimit.
Qarkorja parashikon se një rezultat pozitiv mund të sjellë pasoja disiplinore për personin e përfshirë. Megjithatë, masa ka nxitur debat në Francë, ku juristë dhe opozitarë po vënë në diskutim bazën ligjore të këtij vendimi dhe përputhshmërinë e tij me të drejtat individuale të zyrtarëve publikë.





