Banjat e Bënjës në Përmet po kthehen në një destinacion gjithnjë e më të kërkuar për vizitorë nga vendi dhe bota, kjo edhe falë investimit transformues që po kryhet në këtë pasuri të rrallë natyrore.
Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale pamje nga Banjat e Bënjës, që ndodhen rreth 14 kilometra larg qytetit të Përmetit, në njësinë administrative Petran, vetëm 3 kilometra nga pika ku lumi Vjosa bashkohet me përroin e Lëngaricës.
Tashmë në një fazë transformimi të plotë, Rama u shpreh ky destinacion gjatë kësaj fundjave kishte një fluks të lartë vizitorësh dhe shumë qytetarë zgjodhën të kalojnë kohën mes natyrës dhe burimeve termale.
Investimi parashikon krijimin e një zone parkimi të sistemuar, korsi biçikletash, ballkone panoramike mbi kanion, hyrje e organizuar, banja publike dhe qendër shëndetësore, duke ofruar standarde moderne dhe duke ruajtur njëkohësisht vlerat historike dhe mjedisore që e bëjnë unike.
Aktualisht ka nisur edhe faza e arredimit, vendosjes së parvazëve të shkallëve dhe shtrimit të dyshemesë me dru dekorativ pranë vaskave, për një pamje më të bukur dhe në harmoni me natyrën.



