Fillon sezoni i aksioneve ekologjike në Dibër

Kryetari i Komunës së Dibrës, Fisnik Mela, për gazetën KOHA deklaroi se aktiviteti ekologjik, i cili kishte për qëllim ruajtjen e pastërtisë së qytetit, u realizua në pesë lokacione, duke përfshirë pothuajse të gjithë territorin urban

Vjollca SADIKU

Dibër, 1 qershor – në Dibër, në organizim të pushtetit vendor, u realizua një aksion ekologjik me pjesëmarrje masive të qytetarëve nga të gjitha grupmoshat. Ky ishte aksioni i parë ekologjik i këtij viti. Pjesëmarrës në aktivitet ishin nxënësit dhe arsimtarët e shkollave fillore “Penestia” dhe “Said Najdeni”, nxënësit e shkollës së mesme “28 Nëntori”, administrata komunale, të punësuarit në institucionet lokale dhe në njësitë e ministrive që funksionojnë në Dibër, punonjësit e Njësisë Territoriale të Zjarrfikësve, përfaqësues të shoqatave qytetare, si dhe punëtorët e Ndërmarrjes Komunale Publike “Standardi”, së bashku me mekanizimin dhe autoparkun e saj.

Kryetari i Komunës së Dibrës, Fisnik Mela, për gazetën KOHA deklaroi se aktiviteti ekologjik, i cili kishte për qëllim ruajtjen e pastërtisë së qytetit, u realizua në pesë lokacione, duke përfshirë pothuajse të gjithë territorin urban. Sipas tij, pjesëmarrja e madhe në aksion dëshmoi se qytetarët dëshirojnë një qytet të pastër dhe janë të gatshëm të angazhohen edhe personalisht në aktivitete të tilla. “Dibranët treguan se e duan Dibrën dhe dëshirojnë që ajo të jetë një qytet sa më i pastër, duke u përfshirë vetë në aksione ekologjike të këtij lloji”, tha kryetari Mela.

Gjatë aktivitetit u pastruan bregu i Liqenit të Dibrës, pjesët qendrore dhe periferike të qytetit, oborret dhe hapësirat përreth shkollave dhe institucioneve të tjera, si dhe shëtitorja dhe bulevardi “Iliria”.

Kryetari i Këshillit Komunal, Afrim Krkuti, informoi se në aksion morën pjesë edhe anëtarë të këshillit komunal. Ai theksoi se ky aktivitet ka një rëndësi të veçantë edhe për ngritjen e vetëdijes së fëmijëve dhe të rinjve për ruajtjen e pastërtisë në qytet. “Kishim pjesëmarrës në aksion nga mosha 7 deri në 77 vjeç, çka tregon se aksionet ekologjike kanë një domethënie shumë të madhe për komunitetin”, deklaroi Krkuti. Pushteti vendor ka paralajmëruar se pas këtij aksioni, gjatë vitit do të organizohen edhe aktivitete të tjera ekologjike. “Dibranët meritojnë të kenë pastërti maksimale edhe në hapësirat publike, ashtu siç e ruajnë atë në shtëpitë e tyre”, deklaroi drejtori i Ndërmarrjes Komunale Publike “Standardi”, Nertil Osmani.

Ai shtoi se gjatë aksionit ekologjik u grumbullua një sasi e konsiderueshme mbeturinash, të mbledhura në dhjetëra thasë dhe në disa traktorë të ngarkuar, të cilat më pas u transportuan në deponinë e qytetit. (koha.mk)

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit