Kryetari i LSDM-së dhe Kryetari i Këshillit Nacional për Integrim Evropian, Venko Filipçe, në seancën e sotme ku u prezantua programi dhe prioritetet e presidencës daneze të Këshillit të Bashkimit Evropian, trajtoi sfidat e sigurisë me të cilat përballet Maqedonia e Veriut, të lidhura me ndikimet e huaja dhe fushatat e dezinformimit, transmeton Portalb.mk.
Në seancë, Filipçe i kërkoi ambasadores së Mbretërisë së Danimarkës, Sh.T. Pernile Deiler Kardel , që ta shqyrtojë seriozisht pjesën e Raportit të Parlamentit Evropian, ku thuhet se Maqedonia e Veriut mbetet subjekt i operacioneve armiqësore të ndikimit të huaj.
“Do të doja që ambasadorja daneze të thoshte nëse kjo merret parasysh dhe nëse kjo pjesë e Raportit analizohet kur flitet për forcimin e politikës së sigurisë. Fakti që Maqedonia e Veriut mbetet subjekt i operacioneve armiqësore të ndikimit të huaj, duke përfshirë përpjekjet për të ndarë strukturën shoqërore të vendit dhe për të shfrytëzuar ndjenjat anti-evropiane, veçanërisht përmes tabloideve dhe mediave në gjuhën serbe që funksionojnë si përforcues rajonalë të narrativave të Kremlinit dhe gëzojnë ndikim të konsiderueshëm”, tha Filipçe.
Në fjalimin e tij para Këshillit, Filipçe tha se dy prioritetet kryesore janë shumë të rëndësishme në kontekstin gjeopolitik të sotëm, dhe ato janë një Evropë e sigurt dhe një Evropë e gjelbër konkurruese.
“Shpresoj sinqerisht që ne, si vend kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian, do të gjejmë vendin tonë në përcaktimin e prioriteteve daneze të presidencës daneze – një Evropë e gjelbër e sigurt dhe konkurruese”, tha Filipçe.
Në këtë kontekst, kreu i LSDM theksoi gjithashtu rëndësinë e marrëveshjeve politike që janë bërë në të kaluarën, të cilat, siç tha ai, nuk janë vetëm marrëveshje që zgjidhin probleme politike.
“Në këtë kontekst, në Marrëveshjen e Prespës ka një pjesë serioze që tregon zhvillimin e një partneriteti të mundshëm me Republikën e Greqisë në fushën e burimeve të energjisë së rinovueshme dhe kjo është diçka që në këtë kontekst, Evropa, besoj, duhet ta mbajë mend dhe ta përfshijë në strategjinë e saj. Siç e ka quajtur Danimarka – një Evropë e gjelbër konkurruese, por veçanërisht duke marrë parasysh nevojën që Evropa të bëhet sa më e pavarur nga burimet ruse të energjisë, diçka që është provuar të jetë një çështje shumë kritike në periudhën e kaluar”, tha Filipçe.
Sot ambasadorja jo-rezidente e Mbretërisë së Danimarkës Pernile Deiler Kardel në Maqedoninë e Veriut para Komisionit për Çështje Evropiane dhe Këshillit Nacional për Integrime prezantoi prioritetet e presidencës daneze me BE-në.
“Ne kemi dy grupe prioritetesh. E para është për një Evropë të sigurt, sepse po zgjerohemi. Zgjerimi është në zemër të presidencës daneze. Grupi i dytë i prioriteteve është një Evropë konkurruese dhe e gjelbër. Një Evropë e gjelbër është shumë e rëndësishme. Ne jemi vendi më ambicioz i gjelbër në Evropë”, tha ambasadorja Deiler Kardel.
Ambasadorja kujtoi se vet Damirka ishte nga vendet që nuk besonin në zgjerimin e BE-së.





