Qeveria dhe të gjitha institucionet duhet t’i përmbahen vazhdimisht vendosmërisë për të respektuar pa kushte karakteristikat gjuhësore, identitare, historike dhe kulturore të popullit maqedonas, si elemente për të cilat nuk negociohet me BE-në, dhe se Republika e Maqedonisë së Veriut është e gatshme t’i plotësojë obligimet e Kornizës negociuese me BE-në, duke përfshirë edhe ndryshimet kushtetuese me përcaktim të qartë se kjo është pengesa e fundit, pa pranimin e kërkesave të reja ose çështjet e karakterit dypalësh dhe të identitetit.
Këto janë dy pika kryesore të Rezolutës për definimin e pozitave të përbashkëta për vazhdimin e rrugës evropiane të shtetit, që sot e prezantoi në brifing me mediat kryetari i LSDM-së Venko Filipçe.
“Këto janë linjat tona të kuqe. Ky është propozim-vendimi për arritjen e të gjitha objektivave strategjike dhe kombëtare të përbashkëta me konsensus, duke pasur parasysh shumicën e lartë të qytetarëve për anëtarësim të vendit në BE”, tha Filipçe.
Dokumenti si version pune së pari do të jetë i arritshëm te të gjitha partitë politike, ndërsa pastaj në Kuvend të dalin me një dokument të përbashkët.
“Dokumenti vjen me propozim-ligjin, për rolin e Kuvendit në procesin e negociatave eurointegruese. Pres të gjithë të jenë konstruktiv dhe të mos keqpërdoren për qëllime politike në fushatat parazgjedhore”, theksoi Filipçe.
Dokumenti, sipas tij përmban edhe kornizë kohore konkrete, si dhe mekanizma se cilat hapa duhet t’i ndërmarrë kuvendi nëse ndonjë vend anëtar cenon çështjet e identitetit.
“Besoj se është përfundimisht e papërgjegjshme të mos bëhet asgjë në këtë fushë. Nëse ne arrijmë konsensus nacional askush nuk do të mund të luftojë me ne dhe të na ndalë”, tha Filipçe.