Që nga mesi i viteve ’90, temperaturat në Evropë janë rritur me rreth 0.56°C çdo dekadë, krahasuar me 0.42°C në Amerikën e Veriut, 0.36°C në Afrikë dhe 0.27°C në Amerikën e Jugut
E gjithë bota po përballet me rritjen e temperaturave, pasi ndotja nga djegia e lëndëve fosile bllokon gjithnjë e më shumë nxehtësi në atmosferë, bëhet e ditur në një artikull të The Guardian. Por Evropa po ngrohet pothuajse dy herë më shpejt se kontinentet e tjera, me pasoja gjithnjë e më të rënda. Vetëm këtë verë, valët e të nxehtit kanë shkaktuar dhjetëra mijëra vdekje.
Por, pse Evropa po preket më shumë nga ngrohja globale? Toka ngrohet më shpejt se oqeanet e mëdha dhe të thella, ndaj të gjithë kontinentet po përjetojnë rritje më të shpejtë të temperaturave se detet. Por Evropa është veçanërisht e ekspozuar për katër arsye kryesore: ndryshimi i modeleve atmosferike, afërsia me Arktikun, pakësimi i dëborës dhe ulja e ndotjes së ajrit. Si rezultat, Evropa është sot rreth 2.5°C më e ngrohtë krahasuar me periudhën para djegies masive të lëndëve fosile, ndërsa rritja globale është rreth 1.4°C.
Që nga mesi i viteve ’90, temperaturat në Evropë janë rritur me rreth 0.56°C çdo dekadë, krahasuar me 0.42°C në Amerikën e Veriut, 0.36°C në Afrikë dhe 0.27°C në Amerikën e Jugut.
ÇFARË ROLI LUAN ARKTIKU?
Arktiku është rajoni që po ngrohet më shpejt në planet. Akulli polar, i cili normalisht reflekton pjesën më të madhe të rrezeve të diellit, po shkrihet me shpejtësi. Kur akulli zhduket, sipërfaqja e errët e oqeanit mbetet e ekspozuar dhe thith shumë më tepër nxehtësi. Kjo sjell shkrirje edhe më të madhe të akullit dhe krijon një cikël vetëpërforcues të ngrohjes. Me një pjesë të konsiderueshme të Evropës relativisht pranë Arktikut, ky faktor ndikon edhe në ritmin e ngrohjes së kontinentit.
EDHE MUNGESA E DËBORËS PO E PËRSHPEJTON NGROHJEN
Në të kaluarën, pjesa më e madhe e Evropës mbulohej rregullisht nga dëbora gjatë dimrit. Ashtu si akulli i Arktikut, edhe dëbora reflekton rrezet e diellit dhe ndihmon në mbajtjen e temperaturave më të ulëta. Por ndryshimet klimatike po zvogëlojnë sipërfaqet e mbuluara me dëborë. Sipërfaqja e humbur është afërsisht sa territori i Francës, Italisë, Gjermanisë, Zvicrës dhe Austrisë së bashku.
Por, si ndikon ulja e ndotjes së ajrit? Ulja e ndotjes së ajrit në Evropë është padyshim një zhvillim pozitiv për shëndetin e njerëzve. Por ajri më i pastër po heq njëkohësisht një “maskë” që deri tani kishte zbutur pjesërisht efektin e gazeve serrë. Grimcat e ndotjes mund të reflektojnë rrezet e diellit ose të ndihmojnë në formimin e reve, duke penguar një pjesë të nxehtësisë të arrijë në sipërfaqen e Tokës. Kur këto grimca pakësohen, më shumë rrezatim arrin në tokë dhe efekti ngrohës i gazeve serrë bëhet më i dukshëm.
PASOJAT PO BËHEN GJITHNJË MË TË RËNDA
Ngrohja e shpejtë po sjell më shumë viktima nga temperaturat ekstreme, zjarre më intensive dhe thatësira më të rënda. Në të njëjtën kohë, stuhitë, reshjet ekstreme dhe përmbytjet po fuqizohen nga nxehtësia shtesë e akumuluar në sistemin klimatik. Pasojat prekin jetën dhe ekonominë e miliona njerëzve në të gjithë kontinentin dhe pritet të përkeqësohen derisa emetimet të arrijnë nivelin zero neto. Shefi i OKB-së për klimën, Simon Stiell, e përmblodhi situatën në fund të korrikut.
“Kostot e tmerrshme të kësaj krize klimatike, si njerëzore, ashtu edhe ekonomike. Tashmë po arrijnë përmasat e një emergjence kombëtare”. Sipas tij, zgjidhja është e qartë: “Të largohemi më shpejt nga qymyri, nafta dhe gazi, të zgjerojmë përdorimin e energjive të rinovueshme dhe të mbrojmë njerëzit”.






