Evropa nën alarm nga i nxehti ekstrem

Evropa po përballet me një valë të re të nxehti ekstrem, e cila pritet të thyejë rekordet e temperaturave për muajin qershor në disa shtete. Kjo është vala e dytë e të nxehtit që godet pjesën perëndimore të kontinentit brenda më pak se një muaji, ndërsa ekspertët vazhdojnë të paralajmërojnë se ndryshimet klimatike po i bëjnë gjithnjë e më të shpeshta dhe më intensive fenomenet ekstreme të motit.

Franca është ndër vendet më të prekura, ku temperaturat po afrohen me 40 gradë Celsius. Autoritetet kanë vendosur dhjetëra departamente nën alarmin e kuq, niveli më i lartë i rrezikut, ndërsa presidenti Emmanuel Macron u ka bërë thirrje qytetarëve të tregojnë kujdes të veçantë ndaj të moshuarve, fëmijëve dhe personave më të rrezikuar. Për shkak të vapës së madhe janë anuluar disa aktivitete publike, përfshirë koncerte dhe ngjarje kulturore, ndërsa në zonat me alarm maksimal është ndaluar edhe konsumimi i alkoolit në vende publike. Qindra shkolla pritet të mbeten të mbyllura për të mbrojtur nxënësit dhe stafin arsimor.

Temperatura të larta po regjistrohen edhe në Spanjë, Portugali, Zvicër dhe Mbretërinë e Bashkuar. Në Madrid është anuluar transmetimi publik i një ndeshjeje të Kupës së Botës për shkak të rrezikut nga nxehtësia ekstreme, ndërsa në Portugali termometri pritet të arrijë deri në 42 gradë Celsius. Zvicra ka paralajmëruar për një valë të rëndë dhe afatgjatë të të nxehtit, kurse Britania ka lëshuar alarm portokalli për pjesë të Anglisë dhe Uellsit.

Paralajmërime për temperatura të larta janë lëshuar edhe në Ballkan. Në Kroaci dhe Serbi priten temperatura deri në 35 gradë Celsius, ndërsa në Maqedoninë e Veriut temperaturat tashmë kanë arritur 35 gradë dhe gjatë ditëve në vijim mund të ngjiten deri në 38 gradë Celsius në disa rajone. Autoritetet shëndetësore në disa vende kanë rekomanduar shmangien e ekspozimit në diell gjatë orëve më të nxehta të ditës dhe konsumimin e sasive të mjaftueshme të ujit për të parandaluar problemet shëndetësore të shkaktuara nga temperaturat ekstreme.

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit