Qeveria ka dështuar – qytetarët po paguajnë çmimin e krizës ekonomike
Kryetarja e Asambesë së Gruas pranë Aleancës për Shqiptarët, znj. Elfete Ismaili, në një konferencë për shtyp të mbajtur në selinë e ASH-së në Shkup, ka ngritur alarmin për situatën gjithnjë e më të rëndë ekonomike në vend, duke theksuar se qeveria nuk ka marrë asnjë masë për të ndalur varfërimin e qytetarëve.
“Qeveria ka dështuar dhe qytetarët janë ata që po e paguajnë çmimin e krizës ekonomike. Rritja e çmimeve po i godet më së shumti shtresat më të ndjeshme dhe nuk po shihet asnjë plan konkret nga ana e ekzekutivit për t’iu dalë në ndihmë qytetarëve,” – deklaroi Ismaili.
Ajo theksoi se inflacioni i raportuar për muajin qershor ka arritur në 4.5%, por në realitet gjendja është shumë më e rëndë.
“Çmimet e ushqimeve, energjisë, shërbimeve shëndetësore dhe veshmbathjes janë rritur në mënyrë dramatike. Këto nuk janë thjesht përqindje në tabela – janë kosto reale që rëndojnë mbi shpatullat e qytetarëve, të cilëve çdo ditë u zvogëlohet fuqia blerëse.”
Sipas saj, ndërkohë që vendet fqinje kanë ndërmarrë masa aktive si ulja e TVSH-së për produktet bazë apo ndihma direkte për familjet në nevojë, qeveria jonë po shpenzon për luks.
“Në kulmin e krizës, Qeveria e Maqedonisë së Veriut planifikon të harxhojë 1.8 milionë euro nga buxheti i shtetit për EXPO-n e Beogradit 2027, për logo, karrige, akomodime e promovime. Kjo është një tallje me qytetarët që mezi ia dalin të mbijetojnë.”
Ismaili tha se qytetarët janë të braktisur dhe se politika qeveritare është tërësisht e shkëputur nga realiteti social:
“Inflacioni është një taksë e fshehur që rëndon më shumë mbi ata që kanë më pak. Të rinjtë po largohen nga vendi të zhgënjyer dhe pa perspektivë, ndërsa pensionistët nuk mund të përballojnë më jetesën. Kjo është një spirale që po i fundos të gjithë.”
Aleanca për Shqiptarët propozon masa konkrete emergjente, ndër të cilat:
• Ulja e TVSH-së për produktet ushqimore bazë dhe për shërbimet shëndetësore;
• Subvencionim i shtresave më të goditura nga inflacioni;
• Mbështetje për prodhuesit vendorë, për të frenuar rritjen e çmimeve nga importet;
• Vendosje të mekanizmave për kontrollin e çmimeve dhe ndalim të spekulimeve në treg;
• Llogaridhënie nga Qeveria për dështimin ekonomik dhe keqpërdorimin e parasë publike.
Në fund të deklaratës, Ismaili theksoi:
“Aleanca për Shqiptarët nuk do të heshtë. Ne do të ngremë zërin për dinjitetin e qytetarëve dhe për politika që vendosin qytetarin në qendër të shtetit – jo interesat e një pakice të privilegjuar që jeton në luks.”





