Kompania Eko Fluid, përmes drejtorit ekzekutiv, dr. Besnik Ademi, mori pjesë në punëtorinë e parë me temë “Inovacioni, digjitalizimi dhe investimet e gjelbra për qëndrueshmëri”, e organizuar në kuadër të Forumit të Biznesit “Shndërrimi i qëndrueshmërisë në konkurrueshmëri: Ndërtimi i bizneseve rezistente në një botë të pasigurt”.
Në fjalën e tij, dr. Ademi theksoi se qëndrueshmëria sot nuk është vetëm një detyrim ligjor, por një përcaktim strategjik që krijon vlerë afatgjatë dhe avantazh konkurrues.
“Përveç zbatimit të kornizës ligjore për përgjegjësinë e zgjeruar të prodhuesve, ne aplikojmë edhe parimet ESG, ekonominë qarkulluese dhe Marrëveshjen e Gjelbër Evropiane. Jo sepse tingëllon mirë, por sepse besojmë se kjo është e ardhmja e çdo biznesi të suksesshëm”, u shpreh Ademi.
Ai bëri të ditur se, ndonëse Eko Fluid ekziston vetëm dy vjet, kompania ka arritur rezultate të rëndësishme. Deri më tani janë grumbulluar dhe ricikluar mbi 1.300 tonë vaj të përdorur, është ndërtuar një infrastrukturë profesionale në më shumë se 200 autoservise, është krijuar një rrjet me mbi 500 partnerë, si dhe janë realizuar më shumë se 60 aktivitete edukative.
Sipas Ademit, suksesi më i madh i kompanisë nuk matet me shifra, por me ndryshimin e vetëdijes së qytetarëve dhe bizneseve për rëndësinë e menaxhimit të duhur të mbeturinave dhe përgjegjësisë së përbashkët ndaj mjedisit.
Gjatë prezantimit, ai foli edhe për sfidat me të cilat përballet sistemi i menaxhimit të vajrave të përdorur, duke përmendur mungesën e informimit të një pjese të prodhuesve për detyrimet ligjore, mungesën e një platforme unike digjitale për regjistrim dhe evidencë, konkurrencën jolojale, kontrollet e pamjaftueshme inspektuese dhe nevojën për koordinim më të madh ndërmjet institucioneve dhe të gjithë aktorëve të përfshirë.
Forumi kishte për qëllim të nxisë dialogun dhe shkëmbimin e përvojave mbi mënyrat se si qëndrueshmëria mund të shndërrohet në një burim konkurrueshmërie për kompanitë, eksportuesit dhe ndërmarrjet e vogla e të mesme në Maqedoninë e Veriut.
Me pjesëmarrjen në këtë forum, Eko Fluid rikonfirmoi përkushtimin e saj për zhvillimin e një sistemi modern, transparent dhe efikas të menaxhimit të vajrave të përdorur, të bazuar në parimet e qëndrueshmërisë, inovacionit dhe ekonomisë qarkulluese./Ora24.tv





