Dy shtetas turq janë ndaluar, ndërsa policia është në kërkim të një personi tjetër nën dyshimin se ka tentuar të vrasë dy bashkëkombës të tyre në një apartament në lagjen Karposh të Shkupit.
Siç njoftoi Ministria e Brendshme, është ngritur kallëzim penal me procedurë të përshpejtuar kundër K.M. (36) dhe S.B.P. (22), të dy shtetas turq, me arsyetimin se kanë kryer një krim së bashku me një person tjetër.
Sipas policisë, të dyshuarit kanë sulmuar fizikisht dy persona nga Turqia, të moshës 26 vjeç, në një apartament në zonën e Karposhit, duke u shkaktuar lëndime me një objekt të mprehtë. Në apartament në kohën e incidentit ndodheshin edhe dy gra.
Pas sulmit, të dyshuarit janë larguar nga vendi i ngjarjes, por pas masave dhe aktiviteteve të ndërmarra nga oficerët e policisë nga Shërbimi i Brendshëm i Policisë Shkup, K.M. dhe S.B.P. janë gjetur dhe ndaluar në rrugën Jadranska Magistrala në Shkup.
Ministria e Brendshme informon se po merren masa dhe aktivitete për të gjetur personin e tretë të dyshuar për pjesëmarrje në sulm.








