Dy mundës shqiptarë nga Shkupi fitojnë medalje të argjendta për RMV-në në “Taranto 2026”

Advertisement

Dy mundësit shqiptarë nga Shkupi, Rexhep Hajdari dhe Fati Vejseli, kanë fituar medalje të argjendta për Maqedoninë e Veriut në Lojërat Mesdhetare “Taranto 2026”.

Të dy sportistët arritën deri në finalet e kategorive të tyre, por në fund u desh të kënaqeshin me medaljet e argjendta.

Rexhep Hajdari u mposht në finalen e kategorisë deri në 97 kilogramë, në stilin e lirë, me rezultat 6:0 nga Dauren Kurugliev i Greqisë. Kurugliev është me prejardhje nga Dagestani i Rusisë, ndërsa që nga viti 2023 garon për Greqinë.

Hajdari pati paraqitje të mirë gjatë garave në “Taranto 2026”, duke regjistruar dy fitore dhe duke siguruar kështu pjesëmarrjen në finale.

Medaljen e argjendtë e fitoi edhe Fati Vejseli në kategorinë deri në 74 kilogramë. Mundësi nga Shkupi nuk arriti ta përfundojë finalen ndaj Islam Dudaevit të Shqipërisë, pasi pësoi lëndim. Në momentin kur u ndërpre përballja, Dudaev ishte në epërsi.

Vejseli kishte treguar formë të mirë gjatë garave, duke regjistruar tri fitore për të arritur deri në finalen e kategorisë së tij.

Me dy medaljet e argjendta të Hajdarit dhe Vejselit, Maqedonia e Veriut tashmë ka tri medalje në Lojërat Mesdhetare “Taranto 2026”. Përveç dy medaljeve të argjendta, vendi ka fituar edhe një medalje të bronztë, të cilën e siguroi Ahmad Magomedov, po ashtu në mundje.

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit