12.8 C
Skopje
Wednesday, October 15, 2025

Dy muaj pritje për një pasaportë maqedonase

Në dyert e Institucionit të Avokatit të Popullit në Maqedoninë e Veriut për çdo ditë trokasin qytetarët me ankesën se u shkelet e drejta e lëvizjes së lirë për shkak të paaftësisë së institucioneve për të realizuar detyrimet e marra nga Marrëveshja e Prespës, përkatësisht për të organizuar pajisjen me dokumente me emrin e ri kushtetues në afatin e paraparë me ligj – brenda 15 ditëve.

“Nëse këto afate nuk respektohen, atëherë nuk kemi administratë, e cila ofron shërbim me dinjitet për qytetarët, por ajo përkundrazi i kufizon të drejtat e qytetarëve duke krijuar shumë shqetësime për ta”, thekson Selmani.

Nga Ministria e Punëve të Brendshme nuk japin detaje se sa qytetarë aktualisht nuk kanë asnjë dokument identifikimi valid, si pasaporta dhe letërnjoftimi.

Nga kjo ministri thonë për REL-in se nga 5 qershori i vitit 2021, kur ka filluar dhënia e dokumenteve me emrin e ri të shtetit, e deri më 4 prill 2024, për t’u pajisur me pasaportat e reja kanë aplikuar 1 milion e 491 mijë e 408 qytetarë.

“Ministria e Punëve të Brendshme me përforcimin e kapaciteteve, ka ndërmarrë masa që qytetarët sa më shpejt që është e mundur, t’i marrin të gjitha dokumentet”, kanë theksuar nga kjo ministri, pa dhënë më shumë detaje për vonesat për sa i përket marrjes së pasaportave nga afati i aplikimit.

Nga ky dikaster kanë theksuar se pasaporta me procedurë të shpejtuar, për të cilën paguhet dyfish më shumë, mund të merret brenda 48 orëve.

Pas ndryshimeve në Kodin Zgjedhor në mars të këtij viti mbi 100 mijë qytetarë do të mund të votojnë me letërnjoftim ose dokument udhëtimi, të cilit i ka skaduar afati i vlefshmërisë brenda nëntë muajve deri në ditën e zgjedhjeve.

 

Por, dokumentet e pavlefshme nuk vlejnë në banka ose institucionet ku kërkohet përditësimi i të dhënave.

“Ankesat e qytetarëve janë nga më të ndryshmet për sa u përket problemeve, me të cilat përballen gjatë procedurës së pajisjes me dokumente personale. Ka dhe të tillë që u është bllokuar llogaria bankare pasi nuk mund të azhurnojnë të dhënat në bankë, megjithëse ky numër është më i vogël. Si preventivë kërkojmë që të gjendet zgjidhje nga ana e institucioneve kompetente”, thonë për Radion Evropa e Lirë nga Institucioni i Avokatit të Popullit.

Në bazë të Marrëveshjes së Prespës me Greqinë për ndryshimin e emrit të shtetit, që u arrit më 17 qershor 2018, qytetarët e Maqedonisë së Veriut u obliguan që deri më 14 shkurt të këtij viti t’i zëvendësojnë dokumentet personale, gjegjësisht pasaportat, letërnjoftimet dhe lejet e qarkullimit, me emrin e ri të shtetit, Maqedoni e Veriut./REL

Lajme të ngjajshme

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Lajmet e fundit