Ministrja e Energjisë dhe ministri i Drejtësisë në Ukrainë kanë dhënë dorëheqje të mërkurën, njoftoi Qeveria, pas akuzave për përfshirje në një skandal të gjerë korrupsioni në sektorin e energjisë së vendit.
Hetuesit dyshojnë se një aleat kyç i presidentit Volodymyr Zelensky e ka orkestruar një skemë ryshfeti prej 100 milionë dollarësh për të përvetësuar fonde, gjë që ka shkaktuar zemërim publik në një kohë kur vendi po përballet me ndërprerje të mëdha të rrymës, për shkak të sulmeve ruse.
Zelensky më herët kishte kërkuar dorëheqjen e ministrit të Drejtësisë, German Galushchenko, i cili sipas hetuesve ka marrë “përfitime personale” nga skema, si dhe të ministres së Energjisë, Svitlana Grynchuk.
Asnjëri prej tyre nuk është akuzuar zyrtarisht, dhe Grynchuk nuk është përmendur si përfituese e drejtpërdrejtë e skemës.
“Ministri i Drejtësisë dhe ministrja e Energjisë nuk mund të qëndrojnë më në detyrë”, tha Zelensky në një video të publikuar në rrjete sociale.
Pak më vonë, të dy paraqitën letrat e dorëheqjes, bëri të ditur kryeministrja e Ukrainës, Yulia Svyrydenko.
Skandali ka shkaktuar reagime të forta mes qytetarëve ukrainas, të cilët po përballen me mungesa të shpeshta të ngrohjes dhe energjisë për shkak të bombardimeve ruse.
“Është neveritëse”, tha për AFP-në Davyd, i cili nuk dëshiroi ta tregonte mbiemrin.





