Durmishi u shpall luftë kredive të shpejta: Dënohen 18 kompani, detyrohen t’ua kthejnë paratë qytetarëve

Advertisement

Ministri i Ekonomisë dhe Punës, Besar Durmishi, ka paralajmëruar kontrolle të intensifikuara ndaj shoqërive financiare që ofrojnë kredi të shpejta, duke theksuar se mbrojtja e interesave ekonomike të qytetarëve dhe e të drejtave të konsumatorëve mbetet një nga prioritetet kryesore të ministrisë që ai drejton.

Durmishi bëri të ditur se gjatë tre muajve të fundit, Inspektorati Shtetëror i Tregut ka kryer kontrolle në 27 shoqëri financiare të licencuara. Si rezultat i parregullsive të konstatuara, janë shqiptuar 18 masa inspektuese, ndërsa gjobat do të arrijnë deri në 100 mijë euro.

“Fitimi i asnjë kompanie nuk duhet të ndërtohet mbi pafuqinë financiare të qytetarëve. Nuk do të tolerojmë praktika që janë në dëm të qytetarëve”, theksoi ministri Durmishi.

Kontrollet janë fokusuar në respektimin e Ligjit për Mbrojtjen e Konsumatorëve, me theks të veçantë në praktikat e pandershme dhe mashtruese tregtare, transparencën e kushteve të kreditimit, si dhe arkëtimin e shpenzimeve shtesë, tarifave fikse dhe provizioneve.

Ministri Durmishi nënvizoi se çdo qytetar ka të drejtë të informohet paraprakisht për koston reale të kredisë dhe detyrimet financiare që merr përsipër, veçanërisht kur për shkak të gjendjes ekonomike detyrohet të shfrytëzojë kredi të shpejta.

“Është veçanërisht e rëndësishme t’i mbrojmë qytetarët të cilët, për shkak të gjendjes së tyre financiare, janë të detyruar të shfrytëzojnë kredi të tilla. Çdo qytetar ka të drejtë të dijë paraprakisht se sa do t’i kushtojë kredia dhe çfarë detyrimesh financiare merr përsipër”, tha Durmishi.

Ministri përcolli mesazh të qartë se ligji duhet të vlejë njësoj për të gjithë dhe se mbrojtja e qytetarëve nga keqpërdorimet financiare do të vazhdojë të jetë në fokus të angazhimit të tij institucional.

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit