Durmishi akuzon Ahmetin: Pse pranove që gjuha shqipe të mos përmendet në Kushtetutë?

Advertisement

Përfaqësuesi i koalicionit VLEN, Besar Durmishi, përmes një deklarate për media ka reaguar ndaj kryetarit të BDI-së, Ali Ahmeti, duke ngritur çështje lidhur me Marrëveshjen e Ohrit dhe statusin kushtetues të gjuhës shqipe.

Durmishi iu referua deklaratave të fundit të një prej figurave të vitit 2001, Gëzim Ostrenit, sipas të cilit gjuha shqipe nuk ishte emërtuar drejtpërdrejt në Kushtetutë, por ishte përfshirë përmes formulimit “20 për qind”.

Ai ngriti pyetjen se cilat ishin arsyet që çuan nga kërkesa fillestare për një shtet dygjuhësor shqiptaro-maqedonas drejt kompromisit të përfshirjes së formulimit për përdorimin e gjuhës në aktin më të lartë juridik të vendit.

Sipas Durmishit, BDI-ja gjatë viteve e ka përdorur Marrëveshjen e Ohrit në diskursin politik, ndërsa ai theksoi se marrëveshja është rezultat i sakrificës së qytetarëve dhe nuk duhet të trajtohet si pronë e ndonjë subjekti politik.

Në përmbyllje, Durmishi tha se brezi i ri politik duhet të fokusohet në zgjidhjen e çështjeve konkrete dhe jo vetëm në interpretimet e së kaluarës. Ai theksoi se VLEN synon të avancojë përfaqësimin e drejtë përmes ndryshimeve ligjore dhe të vendosë decentralizimin ndër prioritetet e politikave shtetërore.

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit