Stuhia e fuqishme e shoqëruar me erë të fortë që përfshiu Shkupin pasditen e sotme ka shkaktuar dëme të shumta materiale. Sipas drejtorit të Qendrës për Menaxhim me Kriza, Muhamed Ali, deri tani janë regjistruar mbi 1.000 thirrje të qytetarëve në Numrin Unik për Thirrje Emergjente 112.
Në Shkup janë raportuar çati të dëmtuara e të shkulura nga era, pemë të rrëzuara dhe dëme në automjete. Ndër rastet e raportuara është edhe rënia e një pjese të konstruksionit të çatisë së një ndërtese në rrugën “Zhenevska” nr. 10, ku janë dëmtuar disa automjete.
Gjithashtu, një pemë ka rënë mbi një automjet në rrugën “Metodija Mitevski”, ndërsa pemë të tjera janë rrëzuar në rrugët “Nikola Trimpare” dhe “Skupi”. Dëme janë raportuar edhe në rrugën “Trifun Buzev”, si dhe në SHF “Vlado Tasevski”, ku një pjesë e çatisë është shkëputur nga era e fortë.
Në rrugën “Helsinki” nr. 5 janë regjistruar dy pemë të rrëzuara, ndërsa në rrugën “Skupi” nr. 89 pemët kanë dëmtuar kabllot elektrike, një automjet dhe një pjesë të një shtëpie.
Pasojat e motit të lig janë raportuar edhe në Kumanovë, ku është regjistruar rënia e një pjese të konstruksionit të çatisë në bulevardin “Revolucioni i Tetorit”.
Sipas Muhamed Ali, për të gjitha rastet e raportuara janë njoftuar shërbimet kompetente, të cilat ndodhen në terren dhe po punojnë për pastrimin dhe eliminimin e pasojave të stuhisë.






