Shkup, 8 shtator – Drejtori i Ndërmarrjes Publike “Sharri”, Valon Zeqiri, ka reaguar ashpër ndaj deklaratave të zyrtarëve të BDI-së dhe Bajram Rexhepit, pas kritikave lidhur me mungesën e ujit në lagjen Boris Kidriç.
Sipas tij, ndërmarrja ka investuar rreth 5 milionë denarë për rikonstruksionin e rrjetit të ujësjellësit dhe punime të tjera të domosdoshme, të gjitha të financuara nga vetë NPK “Sharri”.
Në këtë shumë, Zeqiri theksoi se janë përfshirë:
Riparimi i bunarit pas 20 viteve, që sot ofron 25 litra ujë në sekondë (2 milion denarë).
Rikonstruimi i rrjetit të ujësjellësit, vendosja e hidrantëve si dhe rikonstruimi i kanalizimit fekal dhe atmosferik (3 milion denarë).
Megjithatë, ai akuzon BDI-në dhe Bajram Rexhepin se edhe pas këtyre investimeve kanë dalë në publik me deklarata të rreme, duke thënë se “nuk ka projekt për t’iu dhënë ujë qytetarëve” ose se “ska leje ndërtimi”.
“Ju u turpëruat, sepse unë ju demantova me dokumente se kishit gabuar. Dhe përsëri sot dilni e thoni “ska leje ndërtimi”, ka shkruar Zeqiri.
Ai akuzoi ish-qeverisjen komunale dhe partitë në fjalë se për 24 vite kanë lënë qytetarët: Pa ujë, Pa rrugë, Pa rroga, Pa sigurime shëndetësore, Pa plan gjeneral, Pa plan detal, Dhe me mbi 24 milionë euro borxh.
“Edhe pse ju kam kursyer, para fakteve s’keni ku të shkoni. Do ta ulni kokën, sytë, dhe do të turpëroheni të gjithë”, përfundoi Zeqiri.