Nëse duam ndryshime, duhet ta nxjerrim kokën nga rëra dhe të fillojmë me reforma si në gjyqësor ashtu edhe në prokurorinë.
Prej vitesh flitet për reforma në sistemin gjyqësor. Prej vitesh jemi dëshmitarë të një sërë anomalish në zbatimin e ligjeve përmes labirinteve gjyqësore, drejtësi të ngadaltë dhe një reputacion tejet të ulët – pothuajse të padukshëm, sepse 2% nuk mund të quhet vlerësim…
I gjithë sistemi gjyqësor vuan për shkak të disa individëve, të cilët vazhdimisht përpiqen ta bindin publikun se “sistemi funksionon”. Tregime të tilla dëgjohen në publik prej të paktën 25 vitesh, pa asnjë përparim real. Këtë gjendje e dëshmojnë edhe raportet e Komisionit Evropian – dhe në raportin e këtij viti sërish është theksuar gjendja alarmante në luftën kundër korrupsionit dhe dobësia e shtetit ligjor.
Dhe megjithatë, shumë para janë investuar në trajnime dhe edukime të mbështetura nga partnerët tanë strategjikë…
Njohuri të pamjaftueshme dhe kapacitete morale të dyshimta
Është shumë keq që institucionet e sistemit gjyqësor janë eroduar, për shkak të mungesës së vullnetit serioz politik, jo vetëm deklarativ nga elita përkatëse, por më së shumti për shkak të mungesës së vullnetit dhe veprimit serioz nga vetë organet e drejtësisë. Këtu kam parasysh para së gjithash vetë gjyqtarët e Prokurorinë Publike, të cilët duhet të përballen me kolegët që nuk meritojnë të mbajnëtogën gjyqësore.
Në vitet e fundit kemi qenë dëshmitarë se çdo përpjekje për të luftuar korrupsionin në gjyqësor është pritur me armiqësi. Ne kemi qenë dëshmitarë të dështimit të prokurorëve publikë për të ndjekur penalisht shkeljet serioze, shembull i qartë është rasti “Bonuset e PSP-së”. Me sjelljen e tij në lidhje me këtë rast, duke u përpjekur ta mbajë në sirtar, Prokurori Publik i Republikës Ljupço Kocevski, e përforcon edhe më tej perceptimin negativ për të gjithë gjyqësorin maqedonas.
Kjo tregon se edukimi, njohuritë praktike dhe kapacitetet morale të një pjese të gjyqtarëve dhe prokurorëve janë pothuajse nën nivelin bazë. Kriteret për përzgjedhjen e gjyqtarëve dhe prokurorëve të rinj janë reduktuar në minimum – në “aftësi të buta”, të cilat përdoren për negociata të ndryshme për pozicione, zgjedhje në gjykata më të larta dhe zyra të prokurorëve publikë ose për pozicione udhëheqëse. Nuk flitet më për zhvillim personal e as për ndërtimin e një shteti ligjor ku ligjet vlejnë njësoj për të gjithë, bazuar në administrimin e drejtësisë nga mbajtësit e institucioneve gjyqësore me integritet të lartë moral dhe njohuri superiore.
Në periudhën e kaluar, falë disa gazetarëve të guximshëm, publiku ka mësuar për disa raste dhe procedura ndaj gjyqtarëve e prokurorëve, por institucionet përkatëse, duke u fshehur pas sekretit të procedurës, kanë refuzuar të japin informacione. Dhe të jesh transparent do të thotë të mos kesh asgjë për të fshehur, të veprosh ligjërisht dhe të kesh integritet.
Do të përmend tema për të cilat ka pasur shumë polemika në publik.
Si Apeli dha një dëmshpërblim milionësh në favor të një kompanie të bllokuar për 23 vjet
Për shembull, rasti “Fokusnet Shtip kundër Telekomit” përfundoi me humbje për Telekomin Maqedonas, pasi Gjykata e Apelit në Shkup i dha një dëmshpërblim prej disa milionë eurosh një kompanie nga Shtipi me llogari të bllokuar për më shumë se 23 vjet. Përveç gjyqtarëve të Apelit në Shkup, ndaj kësaj kompanie qëndruan indiferente edhe Administrata Tatimore, Policia Financiare dhe institucione të tjera, që duhej të hetonin kompani të tilla fantazmë që pasurohen përmes rrjeteve të organizuara nga një kompani e suksesshme, për më tepër, një kompanie në pronësi të huaj.
Për fat të keq, Prokuroria Publike gjithashtu nuk reagoi. Pavarësisht disa njoftimeve se po "punohet për rastin", për më shumë se një vit nuk ka asnjë rezultat konkret.
Vetëm Këshilli Gjyqësor ndërhyri, që sipas informatave nga mediat, ka shkarkuar dy nga tre gjyqtarët e përfshirë në çështje dhe duke gjobitur të tretin.
Shkak për vendime të tilla të Këshillit Gjyqësor ishin paligjshmëritë e konstatuara në procedurën në rastin “Fokusnet Shtip kundër Telekomit”. Këshilli përcaktoi se në këtë rast kishte procesverbale të falsifikuara, si dhe u gjetën prova që nuk ndodheshin në të dhënat e Gjykatës Themelore, e cila dha vendimin e shkallës së parë në favor të kompanisë me seli në Shtip.
Imagjinoni, Këshilli Gjyqësor ka konstatuar se aktgjykimi me të cilin është ndryshuar vendimi i shkallës së parë është marrë pa mbajtjen e një seance publike, gjë që është në kundërshtim me Ligjin për Procedurën Kontestimore. Por, pavarësisht reagimit të tillë të Këshillit Gjyqësor, kolegët e tyre nga këshilli ankimor i Gjykatës së Apelit kanë vendosur t’i pranojnë ankesat e gjyqtarëve dhe kështu “gështenja e nxehtë” i është kthyer sërish në duar Këshillit Gjyqësor, i cili aktualisht ndodhet në një gjendje “të jesh apo të mos jesh”. Këtu lind pyetja nëse Këshilli Gjyqësor do të gjejë forcë që, pa përdorur “aftësitë e buta”, të veprojë ligjërisht dhe me drejtësi.
Kundërshtim apo padije – çfarëdo qoftë, është e papranueshme!
Duke folur për Këshillin Gjyqësor, do ta përmend ankesën e fundit të ngritur kundër një gjyqtari të procedurës paraprake në Gjykatën Themelore të Shtipit, i cili më 15.10.2025, sipas KPP Nr. 81/25, në kundërshtim me kompetencat e tij ligjore, si dhe në kundërshtim me Vendimin KR Nr. 76/2025 të datës 03.09.2025, të lëshuar nga Gjykata Supreme e RMV-së (vendim që ia cakton çështjen Gjykatës Themelore të Shtipit), një gjyqtar i një gjykate më të ulët, në vend që të veprojë sipas detyrave të dhëna nga gjykata më e lartë në vend, pa u shqetësuar, nxjerr një vendim si gjyqtar i procedurës paraprake në Gjykatën Themelore të Shtipit. Duke vepruar kështu, ai deklarohet i paaftë dhe territorialisht jo kompetent për të vepruar në çështje dhe e dërgon atë në Gjykatën Themelore të Shkupit.
Imagjinoni, një gjyqtar i një gjykate themelore vepron në kundërshtim me vendimin e marrë tashmë të gjykatës më të lartë në vend. Kjo do të thotë shpërfillje e plotë e ligjeve të vendit!
Këtu ka dy gjëra: ose padije themelore e ligjit, ose kundërshtim i gjykatës së shkallës së parë ndaj vendimit të Gjykatës Supreme. Nëse është padije, atëherë lind një pyetje tjetër – si mund të administrojë drejtësi një gjyqtar që nuk ka njohuri elementare të ligjit, si mund të veshë një gjyqtar një togë pa ditur për parimet themelore të ligjit, domethënë që vendimet e Gjykatës Supreme janë të detyrueshme për gjykatat e shkallës së parë?
Nëse është çështje kundërshtim, atëherë ne si shoqëri kemi vërtet një problem serioz me administrimin e drejtësisë dhe me aktorët në këtë administrim të drejtësisë.
Ligji është i qartë – por nuk vlen për gjyqtarët e Apelit në Shtip
Në Ligjin për Procedurën Penale, në nenin 27, është përcaktuar se si dhe cili gjykatë është kompetente të veprojë kur gjyqtari ka paqartësi në lidhje me gjykatën që duhet të trajtojë një çështje konkrete.
Gjithashtu, është parashikuar edhe mënyra se si mund të transferohet kompetenca vendore.
Kështu, paragrafi 1 i këtij neni thotë: “Nëse gjykata kompetente, për arsye juridike apo faktike, është e penguar të veprojë, ajo është e detyruar ta njoftojë gjykatën menjëherë më të lartë, e cila, pasi të ketë marrë mendimin e prokurorit publik, kur procedura zhvillohet me kërkesën e prokurorit publik, do të caktojë një tjetër gjykatë kompetente brenda juridiksionit të saj.”
Paragrafi 3 i të njëjtit nen thotë: “Gjykata menjëherë më e lartë mund të caktojë një tjetër gjykatë kompetente brenda juridiksionit të saj, nëse është e qartë se kështu procedura do të zhvillohet më lehtë ose nëse ekzistojnë arsye të tjera juridike apo faktike.”
Megjithatë, të nderuarit gjyqtarë të Gjykatës së Apelit në Shtip, ndonëse për ta vlejnë dispozitat e Ligjit për Procedurën Penale, kanë marrë një vendim që është në kundërshtim me këto dispozita. Kështu, gjyqtarët e Apelit në Shtip kanë nxjerrë Vendimin nr. K 13/25, i cili bie ndesh me kompetencat ligjore të tyre – gjyqtarë nga juridiksioni i Apelit Shtip kanë vendosur që për një rast konkret të jetë kompetente
Gjykata Themelore Shkup. Kjo është në kundërshtim me nenin 27 të përmendur, ku thuhet se Gjykata e Apelit mund të caktojë një tjetër gjykatë kompetente vetëm brenda juridiksionit të saj. E dimë mirë se Gjykata Themelore Shkup nuk bën pjesë në juridiksionin e Apelit të Shtipit, por në atë të Apelit të Shkupit.
Për ta bërë më të qartë për lexuesin: në rastet kur transferohet kompetenca ndërmjet gjykatave themelore që ndodhen në juridiksione të ndryshme të apelimit – si në këtë rast, midis Gjykatës
Themelore Shtip dhe Gjykatës Themelore Shkup – atëherë kompetente për të vendosur është Gjykata Supreme, dhe në asnjë mënyrë nuk mund të vendosin Gjykata e Apelit Shtip apo ajo e Shkupit.
Edhe më shqetësues është fakti që në këtë rast një gjyqtar i procedurës paraprake nga Gjykata Themelore Shtip – megjithëse Gjykata Supreme e RMV-së e ka përcaktuar si gjykatë kompetente – në kundërshtim me udhëzimet e Gjykatës Supreme, e ka dërguar çështjen për trajtim në Gjykatën
Themelore Shkup. Për këtë është njoftuar me shkrim Gjykata Supreme dhe është paraqitur një ankesë ku kërkohet hetimi i veprimeve të gjyqtarit të procedurës paraprake të Gjykatës Themelore Shtip dhe të vetë Gjykatës së Apelit Shtip. Tani, topi është në duart e Këshillit Gjyqësor.
Kush gabon e pranon – i falet gjysma
Një përshtypje të veçantë la edhe rasti i gjyqtarit të Gjykatës Supreme, Naqe Georgiev, i cili kishte gabuar, por e kishte pranuar fajin – dhe kështu më shumë se gjysma iu fal, ashtu si edhe prokurorit të nivelit më të lartë. Mesazhi nga ky rast është i qartë: në vend që të mbrosh ligjin, shkele atë, prano gabimin dhe bëj marrëveshje.
Më e keqja është se disa nga gjyqtarët – madje edhe disa prej atyre të përfshirë në këtë rast gjyqësor –prej vitesh mbartin reputacionin e gjyqtarëve dhe prokurorëve “të orientuar nga biznesi”, të cilët kryejnë shërbime për një elitë të caktuar, ose për ata që janë të përgatitur ta shpërblejnë nderin dhe për anomali të tilla (lexo "mundësi"). Për këto raste flitet shpesh nga goja në gojë, por asnjë organ relevant në sistemin e drejtësisë nuk dëshiron të përballet me këtë profil gjyqtarësh dhe t’i largojë ata nga sistemi.
Avokatët “tregtarë” të specializuar për “ndërmjetësim”
Së bashku me gjyqtarët dhe prokurorët e tillë, duhet të pastrohen edhe disa avokatë që turpërojnë profesionin. Po flas për të ashtuquajturit “tregtarë” ose ndërmjetës, të cilët kanë si aftësi kryesore ndërmjetësimin midis palëve dhe vendimmarrësve të drejtësisë kundrejt një shpërblimi.
Këtë e dëgjoi i gjithë publiku në rastin e publikimit të bisedave të përgjuara në mënyrë të paligjshme, kur një “avokat i njohur” ndërmjetësonte për një shumë në euro dhe për dënimin.
Me këtë çështje duhet të merret Dhoma e Avokatisë, sepse përveç njollosjes së reputacionit të profesionit, këta “ndërmjetës” kanë një rol të madh në shkatërrimin e sistemit të drejtësisë. Për ta di e gjithë bota e drejtësisë, por askush nuk reagon — “se mos na duhen nesër” këta gjyqtarë, prokurorë publikë apo avokatë të tillë.
Dhe më pas, pyesim veten: pse po na ikin të rinjtë?!
(Autori është prokuror publik)





