Dokumentet personale kalojnë në telefon me “M-uslugi”, të moshuarit me shqetësime

Advertisement

Aplikacioni kombëtar celular “m-uslugi” do të promovohet zyrtarisht më 28 tetor, ndërsa qytetarët do të mund ta shkarkojnë nga 29 tetori përmes Play Store dhe App Store.

Përmes aplikacionit, qytetarët do të kenë mundësi t’i përdorin dokumentet personale në formë elektronike dhe të kenë qasje në një sërë shërbimesh qeveritare direkt nga telefoni.

Qytetarët e anketuar nga Alsat e kanë vlerësuar pozitivisht idenë, por disa prej tyre, veçanërisht personat më të moshuar, kanë shprehur shqetësim për vështirësitë që mund të kenë gjatë përdorimit të aplikacionit pa ndihmën e personave më të rinj.

Ministri i Transformimit Digjital, Stefan Andonovski, ka bërë të ditur se projekti ka vlerë mbi 1.5 milionë euro dhe financohet drejtpërdrejt nga Bashkimi Evropian, pa kosto për buxhetin e Maqedonisë së Veriut.

Përdorimi i “m-uslugi” do të jetë falas dhe vullnetar, ndërsa qytetarët do të mund të vazhdojnë t’i përdorin edhe mënyrat ekzistuese për kryerjen e shërbimeve administrative.

Në fazat e ardhshme, aplikacioni pritet të përfshijë edhe një kuti postare elektronike, njoftime për skadimin e dokumenteve të rëndësishme dhe qasje më të thjeshtë në shërbimet më të përdorura të institucioneve.

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit