Para se dimri të trokasë, matësit e ajrit kanë dhënë sinjalin e parë. Në Strumicë, ndotja ka arritur në nivel të pashëndetshëm për grupet e ndjeshme, ndërsa Tetova dhe Ohri renditen ndër qytetet me vlerat më të larta të regjistruara në mëngjes. Në Shkup, ku grimcat e imëta PM 2.5 mbeten ndotësi kryesor, qyteti po shqyrton një masë të re: hartimin e një regjistri të oxhaqeve për të evidentuar burimet e ndotjes, nga shtëpitë deri te industria, shkruan gazeta KOHA.
Të dhënat e Ministrisë së Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor dhe të platformës “IQAir” treguan ndotje nga mesatare deri në të shtuar në disa qytete të vendit. Sipas matjeve të IQAir, Strumica regjistroi indeksin 115 AQI, që klasifikohet si i pashëndetshëm për grupet e ndjeshme. Në Shkup, vlera mesatare ishte rreth 85 AQI. Regjistri i oxhaqeve është një nga risitë e projektplanit për përmirësimin e cilësisë së ajrit në Shkup për periudhën 2027–2031. Dokumenti po hartohet nga Qyteti i Shkupit dhe për herë të parë po përgatitet në një platformë digjitale. Në regjistër parashikohet të evidentohen vendndodhjet ku emetohen substanca ndotëse, si nga objektet industriale, ashtu edhe nga ekonomitë familjare.
Analiza e të dhënave të dhjetë viteve të fundit nga sistemi shtetëror i monitorimit tregon se përqendrimet e grimcave PM10 dhe PM 2.5 në kryeqytet i tejkalojnë rregullisht kufijtë e lejuar. Në të njëjtën kohë, sipas të dhënave të prezantuara, niveli i ndotjes është ulur me 40 deri në 50 për qind krahasuar me vitin 2015. Pra, rënia afatgjatë nuk i ka eliminuar tejkalimet.
Trafiku, industria dhe ngrohja e banesave janë identifikuar në analizat e viteve të fundit si burimet kryesore të ndotjes. Për familjet, projektplani propozon zgjerimin e rrjetit të ngrohjes qendrore, zëvendësimin e sobave me dru dhe subvencione për sisteme diellore e pompa termike. Për trafikun rekomandohen blerja e 100 autobusëve elektrikë, krijimi i një zone me emetime të ulëta në qendër, zbatimi i sistemit të transportit të shpejtë me autobusë (BRT) dhe zgjerimi i rrjetit të korsive për biçikleta.
Ndërkaq, për industrinë parashikohen kontrolle më të shpeshta dhe nxitja e përdorimit të teknologjive më të mira të disponueshme. Ndër investimet afatgjata përmenden sistemet për kompostimin e mbetjeve organike, zgjerimi i rrjetit të monitorimit dhe centralet me gaz për prodhimin e kombinuar të energjisë elektrike dhe nxehtësisë. Masat afatshkurtra përfshijnë larjen më të shpeshtë të rrugëve, parandalimin e zjarreve, kontrollin e pluhurit nga kantieret dhe pastrimin e rregullt të oxhaqeve.
Nga ana tjetër, një pjesë e ambientalistëve e shohin projektplanin si bazë të mirë për punë të mëtejshme, por kërkojnë që ai të harmonizohet me ligjet e reja për cilësinë e ajrit dhe emetimet industriale, si dhe me dokumentet kombëtare të planifikimit. Nisma qytetare “Qytet i Gjelbër Human”, ndërkaq, pretendon se në dokument janë përdorur të dhëna dhe analiza të vjetruara dhe se këshilltarët e qytetit dhe publiku nuk janë përfshirë sa duhet në shqyrtimin e tij. Nisma kërkon më shumë transparencë dhe veprime institucionale ndaj objekteve industriale që, sipas saj, ndikojnë ndjeshëm në cilësinë e ajrit në kryeqytet.
Ndryshe, të dhënat për vitet 2019–2021 e rendisin Maqedoninë e Veriut ndër vendet evropiane me ekspozim të lartë ndaj grimcave PM 2.5, me përqendrim mesatar vjetor prej 30,3 mikrogramësh për metër kub. Ambientalistët kanë paralajmëruar vazhdimisht se ekspozimi i zgjatur ndaj ajrit të ndotur rëndon shëndetin e qytetarëve, veçanërisht të fëmijëve.








