Dibër, 26 nëntor – Pushteti vendor i Dibrës ka përgatitur një program të pasur festiv për Ditën e Flamurit, 28 Nëntorin. Aktivitetet kanë nisur me më të vegjlit, ndërsa në prag të 28 Nëntorit janë paraparë edhe programe të tjera festive.
Në kuadër të aktiviteteve për shënimin e 28 Nëntorit, Ditës së Flamurit dhe Pavarësisë së Shqipërisë, në Qendrën për Kulturë u zhvillua një program festiv me fëmijët e IPKKF-së “Breshia” në Dibër. Me këngë, valle, buzëqeshje dhe shumë emocione, vogëlushët sollën një atmosferë të veçantë dhe i dhanë ngjyra festës së 28 Nëntorit.
Përmes këtij aktiviteti, fëmijët patën mundësinë të bëhen pjesë e atmosferës festive dhe të shënojnë në mënyrën e tyre një nga datat më të rëndësishme të historisë sonë. Ishte një ditë e mbushur me gëzim, energji dhe momente të bukura, ku protagoniste ishin buzëqeshjet e fëmijëve dhe atmosfera festive.
Kryetari i Komunës së Dibrës, Fisnik Mela, uroi Ditën e Flamurit dhe të Pavarësisë. Në programin e Komunës janë paraparë edhe koncerti “Një komb, një flamur”, me pjesëmarrjen e këngëtarëve të njohur shqiptarë, si dhe programe festive në shkollat fillore dhe të mesme, por edhe në Qendrën për Kulturë. Dibra është stolisur me flamuj kombëtarë shqiptarë. (V.S)








