Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, thotë se rënia e natalitetit dhe nevoja për fuqi punëtore të huaj janë ngushtë të lidhura me të ardhmen e ekonomisë së vendit. Sipas tij, nëse nuk rikthehet vëmendja te vlerat familjare dhe familjet me shumë fëmijë, ekonomia e Maqedonisë do të jetë ndër të parat që do të përballet me pasojat.
Mickoski theksoi se deri në vitin 2030, vendit do t’i nevojiten çdo vit 50 mijë punëtorë të huaj për të ruajtur nivelin aktual të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB).
“Kur fola para një viti e gjysmë apo dy vitesh për vlerat familjare dhe fertilitetin, më cilësuan si të prapambetur dhe regresiv, duke thënë se nuk e dija për çfarë po flisja. Fatkeqësisht, kjo sfidë vazhdon të mbetet aktuale. Madje, shifra e përmendur nga zëvendëskryeministri dhe ministri i Transportit mund të jetë edhe e nënvlerësuar. Ndoshta do të na duhen shumë më tepër punëtorë për të ruajtur aktivitetin ekonomik”, deklaroi Mickoski.
Ai shtoi se në Evropën Perëndimore, për të ruajtur nivelin e ekonomisë dhe për të siguruar një rritje të lehtë të PBB-së nominale, çdo vit nevojiten qindra mijëra, e ndoshta edhe miliona leje pune për migrantët.
“Pavarësisht se sa duan të më përqeshin, unë do të vazhdoj të mbështes politikat familjare, familjet me shumë fëmijë dhe politikat që nënkuptojnë të ardhme për Maqedoninë si shtet, vende të reja pune për punëtorët maqedonas dhe një ekonomi më konkurruese që do të vazhdojë të rritet”, shtoi Mickoski.








