Dëmtohen sërish ulëset në Dibër

Advertisement

Nga këndet e lojërave për fëmijë e deri te pajisjet urbane në parqe dhe oborret e institucioneve, aktet e vandalizmit janë bërë gjithnjë e më të shpeshta. Pas dëmtimit të lodrave në këndin e lojërave pranë çerdhes së qytetit, ditët e fundit janë evidentuar dëmtime të reja të ulëseve publike në disa pjesë të Dibrës

Vjollca SADIKU

Dibër, 9 korrik – Dibra njihet si një qytet me traditë të gjatë qytetare dhe kulturë të zhvilluar. Megjithatë, me kalimin e viteve dhe ndryshimet demografike, janë shfaqur edhe probleme që lidhen me dëmtimin e pronës publike. Nga këndet e lojërave për fëmijë e deri te pajisjet urbane në parqe dhe oborret e institucioneve, aktet e vandalizmit janë bërë gjithnjë e më të shpeshta. Pas dëmtimit të lodrave në këndin e lojërave pranë çerdhes së qytetit, ditët e fundit janë evidentuar dëmtime të reja të ulëseve publike në disa pjesë të Dibrës.

Komuna e Dibrës njofton se dëmet janë regjistruar në disa lokacione të qytetit, përfshirë shëtitoren, parqet në qendër, Bulevardin “Iliria”, Parkun në Lagjen e Re, si dhe në zona të tjera. Këto raste kanë shkaktuar reagime të shumta nga qytetarët dhe shoqatat civile, ndërsa institucionet kompetente kanë nisur aktivitetet për identifikimin e autorëve të dëmtimeve. “Vandalë të vërtetë janë këta persona. Këto veprime nuk i bëjnë njerëz me edukatë familjare, por individë të papërgjegjshëm,” thotë 75-vjeçari S.T., banor i Dibrës.

Edhe F.M., banore e Lagjes së Re, shprehet e revoltuar: “Në 60 vitet e mia nuk kam parë më parë dibranë që të dëmtojnë ulëset dhe pasurinë publike në këtë mënyrë. Personat që kryejnë këto veprime duhet të mbajnë përgjegjësi dhe të dënohen”.

Komuna e Dibrës bën të ditur se, pas dëmtimit të ulëseve publike nga individë të papërgjegjshëm, ato janë riparuar dhe janë rikthyer në vendet e tyre, në shërbim të qytetarëve. Njëkohësisht, autoritetet lokale apelojnë që prona publike të ruhet, duke rikujtuar se pajisjet urbane janë blerë me mjete publike dhe u shërbejnë të gjithë qytetarëve. Sipas komunës, angazhimi për mirëmbajtjen dhe zbukurimin e hapësirave publike vazhdon pa ndërprerje. Prej 12 ditësh, ekipet komunale, çdo ditë nga ora 06:00 deri në 12:00, po zhvillojnë aksionin për lyerjen e drunjve në të gjitha pjesët e qytetit. “Ky aktivitet synon mirëmbajtjen e gjelbërimit, mbrojtjen e drunjve dhe përmirësimin e pamjes së qytetit, duke krijuar një ambient më të pastër, më të rregullt dhe më të këndshëm për të gjithë. Të kujdesemi për pronën publike dhe mjedisin që na rrethon, sepse ato janë pasuri e përbashkët dhe përgjegjësi e secilit prej nesh”, thuhet në njoftimin e Komunës së Dibrës. (koha.mk)

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit