Shkup, 13 korrik, Zhurnal.mk – Administrata e të Ardhurave Publike (DAP) njoftoi se ka përfunduar tatimi vjetor i qytetarëve për vitin 2025, me ç’rast janë evidentuar 863.100 deklarata vjetore tatimore, ndërsa të ardhurat e përgjithshme të tatueshme të deklaruara kanë arritur në 612,9 miliardë denarë.
Nga numri i përgjithshëm i deklaratave, 704.443 janë të qasshme përmes sistemit “e-Shërbime Tatimore”, ndërsa pjesa tjetër i takon personave që ende nuk kanë profil të regjistruar. DAP u bën thirrje qytetarëve që nuk janë regjistruar ta bëjnë këtë sa më shpejt, në mënyrë që të kenë qasje në deklaratën e tyre tatimore dhe të kontrollojnë nëse kanë detyrim për pagesë shtesë ose të drejtë për kthim të tatimit.
Nga deklaratat që janë të qasshme në profilet e përdoruesve:
26.653 janë konfirmuar personalisht,
1.145 janë korrigjuar,
ndërsa 676.645 janë konfirmuar zyrtarisht nga UJP.
Sipas të dhënave, 208.857 qytetarë kanë detyrim për pagesë shtesë tatimore,
313.519 kanë paguar më shumë tatim dhe kanë të drejtë për kthim,
ndërsa te 182.067 deklarata nuk ka dallim mes tatimit të llogaritur dhe atij të paguar.
UJP thekson se vetëm 617 tatimpagues kanë kërkuar kthimin e tatimit të tepërt, në një shumë totale prej 32,4 milionë denarësh.
Të ardhurat e deklaruara për vitin 2025 arrijnë 612.866.663.282 denarë, ndërsa tatimi i llogaritur mbi të ardhurat personale ka arritur 39.817.189.183 denarë. Krahasuar me vitin 2024, të ardhurat e deklaruara janë më të larta për 74,1 miliardë denarë, ndërsa tatimi i llogaritur është rritur për 4,86 miliardë denarë.
Pjesa më e madhe e të ardhurave të deklaruara i takon të ardhurave nga marrëdhënia e punës, të cilat arrijnë 458,6 miliardë denarë. Pasojnë të ardhurat nga kapitali me 24,6 miliardë denarë, të ardhurat nga shitja e produkteve bujqësore me 22,3 miliardë denarë, fitimet nga lojërat e fatit me 11,1 miliardë denarë, si dhe të ardhurat nga qiraja, të drejtat autoriale, veprimtaria e pavarur dhe burime të tjera të të ardhurave.
përcjell Zhurnal.mk .





