Shkup, 14 korrik – Drejtoria e të Ardhurave Publike (UJP) ka publikuar Listën e Debitorëve nr. 07/2026, në të cilën figurojnë gjithsej 5.156 persona juridikë dhe fizikë me detyrime tatimore dhe doganore të papaguara.
Në listë janë evidentuar 2.007 persona juridikë, që është 66 më shumë krahasuar me listën e mëparshme, si dhe 3.149 persona fizikë, përkatësisht 32 më shumë.
Bëhet fjalë për borxhe të maturuara deri më 31 mars 2026, e të papaguara deri më 30 qershor 2026, për bazat: TVSH, tatim fitimi, tatim personal mbi të ardhurat, kontribute për sigurim të detyrueshëm social, akciza dhe dogana.
Në listë publikohen personat fizikë dhe ushtruesit e pavarur të veprimtarisë me borxh mbi 120.000 denarë, si dhe personat juridikë me borxh mbi 300.000 denarë.
Sipas të dhënave të UJP‑së, borxhi i përgjithshëm neto i publikuar arrin në 13,08 miliardë denarë, që paraqet rritje prej mbi 162 milionë denarësh krahasuar me listën e mëparshme.
Nga kjo shumë, 12,86 miliardë denarë i referohen tatimeve dhe kontributeve, ndërsa borxhi për detyrimet doganore arrin në 213,57 milionë denarë.
Tatimpaguesit që nuk pajtohen me të dhënat e publikuara mund të drejtohen në drejtorinë rajonale kompetente të UJP‑së ose në Administratën Doganore, në varësi të llojit të borxhit.
përcjell Zhurnal.mk .





