Globalisht, çmimet e ushqimeve po rriten sërish për shkak të thatësirave dhe problemeve me transportin përmes Detit të Zi, gjë që gjatë vjeshtës mund t’i japë fund periudhës së stabilizimit të çmimeve në Maqedoni. Sipas analizës më të fundit të “Oxford Economics”, çmimet globale të ushqimeve do të rriten me 11,8 për qind në vitin 2026, ndërsa presioni më i madh pritet te drithërat, perimet e freskëta dhe produktet e qumështit.
Indeksi i çmimeve të ushqimeve i FAO-s në korrik shënoi rritje mujore prej 0,6 për qind, por shqetësimi kryesor vjen nga drithërat, indeksi i të cilave u rrit me 3,4 për qind vetëm brenda një muaji. Çmimi botëror i grurit u rrit me 5,8 për qind, ndërsa analistët presin që në tremujorin e tretë të jetë rreth 36 për qind më i lartë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.






