Chillifestë 2026 nis sot në Krushë të Madhe me aktivitete agro-kulturore dhe koncerte

Advertisement

Festivali tradicional i perime-kulturës “Chillifestë” nis sot, më 7 gusht 2026, në Krushë të Madhe të Rahovecit, duke shënuar edicionin e tij të 12-të.

Hapja e festivalit bëhet me një vizitë në fermën Korr e Ha dhe me organizimin e “Karnavalit të Perimeve”, ndërsa aktivitetet do të zgjasin tri ditë, më 7, 8 dhe 9 gusht.

Organizatorët bëjnë të ditur se gjatë festivalit do të zhvillohen aktivitete të shumta argëtuese, kulturore dhe promovuese, me fokus në agro-kulturë.

“Gjatë këtyre tri ditëve do të mbahen aktivitete tradicionale, autoktone dhe unike, ndërsa për dy net rresht në mbrëmje do të ketë koncerte me këngëtarë të estradës shqiptare si TNT, Fisnikët, Ramadan Krasniqi – Dani, ILO, Bono, Mossi, Rina Balaj dhe shumë artistë të tjerë”, thuhet në njoftim.

Sipas programit të edicionit të sivjetmë, “Chillifestë” do të sjellë një sërë aktivitetesh që synojnë promovimin e prodhimtarisë vendore, perimeve dhe kulturave bujqësore.

Po ashtu, gjatë festivalit do të organizohen gara të ndryshme për promovimin e perimeve dhe kulturave bujqësore, si dhe do të ndahen dhurata e shpërblime për vizitorët.

Organizatorët u bëjnë thirrje qytetarëve që t’i bashkohen festivalit me sloganin: “Ditë e gëzueme – më 7, 8 dhe 9 gusht ejani në Chillifestë, Krushë e Madhe.”/KultPlus.com

 

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit