12.8 C
Skopje
Thursday, November 6, 2025

Çfarë nënkupton kërcënimi i Trumpit për testimet globale bërthamore?

Në qershor të vitit 2019, drejtori i agjencisë kryesore të inteligjencës të Pentagonit doli me një pretendim për Rusinë dhe programin e saj bërthamor: Moska po teston armët e saj bërthamore.

“Qeveria e Shteteve të Bashkuara, përfshirë komunitetin e inteligjencës, ka vlerësuar se Rusia ka kryer testime të armëve bërthamore që kanë lënë gjurmë bërthamore”, tha gjenerallejtënant Robert Ashley.

Kina mund të jetë duke kryer testime po ashtu, shtoi Ashley, me gjasë duke përdorur metoda ku “ka zero lëshim të energjisë shpërthyese bërthamore”, përkatësisht kur nuk ndodh asnjë shpërthim bërthamor apo një reaksion zinxhiror i ndarjes së bërthamave që lëshojnë energji.

Gjashtë vjet më vonë, SHBA-ja dhe Rusia janë në prag të një gare të re armësh. Kremlini po krenohet duke thënë se po zhvillon super-armë të reja me fuqi bërthamore. Dhe, presidenti amerikan, Donald Trump, po kërcënon se SHBA-ja do të rinisë testimet bërthamore.

“Rusia po teston dhe Kina po teston, por ata nuk flasin për këtë gjë”, tha Trump në një intervistë të xhiruar më 31 tetor. “Jo, ne do të testojmë sepse ata testojnë dhe të tjerët testojnë”.

Ky pretendim është objekt i debatit. Megjithatë, kërcënimi ka nxitur kritika nga Moska dhe është mirëpritur nga mbështetësit radikalë të sigurisë kombëtare në SHBA, teksa aktivistët kanë shprehur shqetësime për kontrollin e armëve.

Pas vitesh të kolapsimit apo dobësimit të marrëveshjeve për kontrollin e armëve – Traktati për Forcat Bërthamore me Rreze të Mesme Veprimi, Traktati i Raketave Kundërbalistike, Qiejt e Hapur dhe New START – avokuesit shqetësohen se mund të jetë radha e paktit global që ndalon testimet bërthamore.

Në një mbledhje të Këshillit të Sigurisë të Rusisë më 5 nëntor, ministri i Mbrojtjes, Andrei Belousov, bëri thirrje për përgatitje për rinisjen e testimeve bërthamore – në poligonet testuese në arkipelagun Arktik të Novaja Zemlja.

Jeni konfuz nga gjithë këto traktate? Nuk e dini se çfarë do të thotë ‘energjia shpërthyese bërthamore’? Këto mund t’i mësoni në këtë artikull.

Testim, testim
Herën e fundit që SHBA-ja ka përdorur eksplozivë në arsenalin e saj të armëve për të ndarë një izotop uraniumi ose plutoniumi për të nxitur një reaksion bërthamor të njohur si fision bërthamor (ndarje e bërthamës së rëndë të atomit në bërthama më të lehta) ishte në Nevadë më 1992. Nuk ishte një shpërthim i një shtëllunge resh në formë të kërpudhës si ajo që shihet në filma – ato kanë dalë jashtë përdorimit në vitet ’60, përmes një marrëveshjeje – por, ishte një shpërthim nëntokësor.

Herën e fundit që Moska kreu një test fisioni të një arme? Kjo ndodhi në vitin 1990, një vit para kolapsimit të Bashkimit Sovjetik, në Novaja Zemlja. Ndërsa, Kina e ka kryer testimin e tillë të fundit në vitin 1996 në Lop Nur, në provincën perëndimore të Ksinjangut.

Po të njëjtin vit hyri në fuqi Traktati i Përgjithshëm për Ndalimin e Testimeve Bërthamore apo CTBT. Që nga ajo kohë, vetëm Pakistani dhe India kanë kryer teste të ngjashme, ndërkaq Koreja e Veriut ka kryer disa dhe testimi i fundit ishte më 2017.

Fundi i kontrollit të armëve bërthamore?
Në përgjithësi, testimet bërthamore që përfshijnë shpërthime reale të materialit fisil (ky material është çdo substancë që mund t’i nënshtrohet procesit të ndarjes së bërthamës kur goditet nga një neutron me energji të ulët, duke shkaktuar efekt zixhiror dhe materiale të tilla kryesore janë uraniumi-233 dhe 235 si dhe plutoniumi-239) janë relativisht të lehta për t’u detektuar.

Pajisjet jashtëzakonisht të ndjeshme për monitorim sizmik, sikurse ato që përdoren për të monitoruar tërmetet, mund të regjistrojnë valët që shkaktohen nga një shpërthim nëntokësor, ku të gjitha testimet kanë ndodhur për dekada të tëra. Aeroplanët e pajisur me instrumente të sofistikuara për “nuhatje” mund të detektojnë izotopet radioaktive që lëvizin në atmosferë, që janë shenja që tregojnë për një shpërthim bërthamor.

Jokritik, kritik, super-kritik

Përfundimi i Luftës së Ftohtë dhe i garës së armëve midis Bashkimit Sovjetik dhe SHBA-së solli shkurtime të mëdha në arsenalet bërthamore dhe një ulje të buxheteve dhe investimeve në infrastrukturën që kërkohet për të planifikuar dhe për të ndërtuar bomba bërthamore.

Të gjitha vendet që kanë armë bërthamore duhet të sigurohen që arsenalet e tyre mund të shkaktojnë shkatërrim sipas pritjeve, prandaj testimi vazhdon – por, jo në formë të një shtëllunge reje kërpudhore. Testimet jokritike, në të cilat përdoren eksplozivë dhe material fisil, por nuk shpërthejnë për të shkaktuar fision, lejohen sipas CTBT-së. Studiuesit përdorin super-kompjuterë dhe laserë të fuqishëm për të testuar ose imituar reaksionet e fisionit.

Trump fillimisht sugjeroi mundësinë e testimeve të reja në një postim në rrjetet sociale pak para takimit me presidentin kinez, Xi Jinping, në Korenë e Jugut. Më pas e shpjegoi më gjerësisht në intervistën që dha për CBS News.

Zyrtarët amerikanë e kanë mbajtur një poligon testues në Nevadë ku vazhdojnë të kryejnë eksperimente nënkritike. Megjithatë, kryerja e një shpërthimi me material fisil nuk mund të ndodhë menjëherë.

“SHBA-ja nuk mund të kryejë një testim brenda disa ditësh ose javësh, por në varësi të detajeve të testit dhe diagnostikës, ne mund të rifillojmë testimet brenda disa muajsh deri në disa vjet”, tha Jill Hruby, ish-drejtoreshë e Laboratorëve Kombëtarë Sandia në Nju Meksiko dhe ish-drejtuese e Administratës Kombëtare të Sigurisë Bërthamore (NNSA), që menaxhon magazinimin dhe testimet e arsenalit bërthamor të SHBA-së.

Sekretari amerikan i Energjisë, Christopher Wright, departamenti i të cilit mbikëqyr NNSA-në, më vonë sqaroi deklaratat e Trumpit.

“Mendoj se testimet për të cilat po flasim tani janë teste të sistemeve”, tha Wright në një intervistë për Fox News më 2 nëntor. “Këto nuk janë shpërthime bërthamore. Këto janë ato që ne i quajmë shpërthime jokritike”.

Sipas Hrubyt, autoritetet amerikane kanë të dhëna të mjaftueshme nga testimet e mëparshme nëntokësore, si dhe nga eksperimentet laboratorike dhe ato nënkritike, që sipas saj është një argument për të mos rifilluar testet e plota bërthamore.

“Për më tepër, nëse ne fillojmë testimet, është e qartë se edhe të tjerët do t’i rifillonin ose do t’i nisnin ato”, tha ajo. “Sapo të rifillojnë testimet, sipas mendimit tim, ka shumë gjasa që të eksplorohen lloje të reja pajisjesh, duke nxitur edhe më shumë garën e armëve”.

“Dhe në fund, edhe pse testimet mund të jenë të sigurta, aksidentet mund të ndodhin. Mendoj se shumica e njerëzve do të pajtoheshin që testimet bërthamore në shkallë të gjerë nuk sjellin përfitime mjedisore as për planetin dhe as për njerëzimin”, shtoi ajo.

Testimet në botën reale

Në prill, Departamenti amerikan i Shtetit publikoi raportin e tij vjetor për vendet që respektojnë traktatet për kontrollin e armëve. Në raport u tha se Rusia kishte kryer testime “super-kritike” të armëve bërthamore në vitet e kaluara, por kishte dështuar që ta njoftonte SHBA-në apo shtetet e tjera, siç kërkohet me një marrëveshje të vitit 1974, e cila po ashtu vendosi një kufi për madhësinë e shpërthimeve nëntokësore.

Thënë në përgjithësi, termi “super-kritik” i referohet një reaksioni të fisionit, kur një izotop ndahet dhe shkakton një reaksion të plotë zhinxhiror. Termat “jokritik” dhe “nënkritik” nuk përfshijnë një reaksion të tillë.

“Shqetësimet mbeten për shkak të këtyre aktiviteteve në të kaluarën dhe pasigurisë si edhe mungesës së transparencës që lidhen me aktivitetet e Rusisë në Novaja Zemlja”, u tha në raportin e DASH-it.

Për përkrahësit radikalë të sigurisë kombëtare – në Uashington, Moskë apo edhe në Pekin – bota ka ndryshuar. Kina, e cila nuk ka kufizime nga traktati START-i i Ri midis Uashingtonit dhe Moskës, të cilit po i afrohet afatit të skadimit, po zgjeron arsenalin e saj. Kremlini po modernizon arsenalin bërthamor dhe po prezanton raketa të reja balistike ndërkontinentale si Sarmat, si dhe armë të tjera me kapacitet bërthamor si Burevestnik dhe Poseidon – duke dërguar një sinjal të qartë.

Disa ditë pas deklaratave të Trumpit, drejtori i CIA-s, John Ratcliffe, tha në një postim në X se Trump “kishte të drejtë” për testimet e Kinës dhe Rusisë.

“Shtetet e Bashkuara duhet të ruajnë superioritetin teknik dhe numerik kundrejt stoqeve të kokave bërthamore të Kinës dhe Rusisë marrë së bashku”, shkroi Robert O’Brien, ish-këshilltar për siguri kombëtare gjatë mandatit të parë të Trumpit, në një artikull të botuar në Foreign Affairs vitin e kaluar. “Për ta bërë këtë, Uashingtoni duhet të testojë armë të reja bërthamore për besueshmëri dhe siguri në botën reale për herë të parë që nga viti 1992 – dhe jo vetëm duke përdorur modele kompjuterike”.

“Nëse Kina dhe Rusia vazhdojnë të refuzojnë që të angazhohen në mirëbesim për bisedime lidhur me kontrollin e armëve, SHBA-ja po ashtu duhet të rifillojë prodhimin e uraniumit-235 dhe plutoniumit-239, izotopet kryesore fisile të armëve bërthamore”, shtoi ai.

O’Brien nuk iu përgjigj një kërkese të Radios Evropa e Lirë për koment, që iu dërgua firmës së tij në Uashington.

Në Moskë, zyrtarët rusë kanë kritikuar zotimin e Trumpit për rinisjen e testimeve dhe kanë hedhur poshtë akuzën se ata kanë kryer testime bërthamore.

Në një mbledhje të Këshillit të Sigurisë, të transmetuar nga mediat në Kremlin më 5 nëntor, presidenti Vladimir Putin përsëriti komentet e ministrit Belousov dhe urdhëroi zyrtarët që të bënin propozime për “mundësinë e nisjes së punës për përgatitjen e testimeve të armëve bërthamore”. Por, ai po ashtu tha se Moska nuk synon që ta shkelë CTBT-në.

Nëse administrata e Trumpit nuk lëviz përpara me testime të plota, kjo me gjasë do të nxiste një garë, pasi shtetet e tjera – kryesisht Kina – do të rinisnin testimet. Kjo do ta shtynte marrëveshjen CTBT drejt një kolapsi të plotë. Rusia e “deratifikoi” traktatin më 2023, Uashingtoni e ka nënshkruar atë, por nuk e ka ratifikuar. Disa zyrtarë të administratës madje kanë sugjeruar për “tërheqje nga nënshkrimi”. Kina e ka nënshkruar traktatin, por nuk e ka ratifikuar të njëjtin.

“Testimet me shpërthim do të hapnin rrugë për shtetet e tjera që të veprojnë njësoj. Ata nuk kanë kryer aq shumë testime sa SHBA-ja dhe do të përfitonin shumë nga testimet shpërthyese”, tha Cheryl Rofer, shkencëtare bërthamore në pension, që kishte punuar në Laboratorin Kombëtar Los Almos, ku studiuesit amerikanë zhvilluan armët e para bërthamore në vitet ’40.

Ekspertët argumentojnë se rikthimi i testimeve në shkallë të gjerë me gjasë do të zhbënin traktatin START-i i Ri, i cili kufizon madhësinë e arsenaleve bërthamore ruse dhe amerikane. Traktati do të skadojë vitin e ardhshëm dhe aktualisht nuk ka negociata për ta zëvendësuar atë.

Në shtator, Putin propozoi që të respektohen kushtet e traktatit edhe për një vit pasi ai të skadojë në fillim të shkurtit, ide për të cilën Shtëpia e Bardhë tregoi vullnet. /Radio Evropa e Lirë

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit