Çeku dhe SBAShK-u vazhdojnë konsultimet me mësimdhënësit për Strategjinë e Arsimit 2035+

Advertisement

Ministri i Arsimit dhe Shkencës, Hajrulla Çeku, dhe kryetari i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBAShK), Rrahman Jasharaj, kanë vazhduar në Prishtinë konsultimet me mësimdhënësit për hartimin e Strategjisë së Arsimit 2035+.

Para takimit me mësimdhënësit e rajonit të Prishtinës, Çeku dhe përfaqësuesit e SBAShK-ut vizituan Qendrën Burimore për Mësim dhe Këshillim “Përparimi”, ku u njohën me punën e institucionit dhe angazhimin e stafit në mbështetjen e nxënësve. Përvojat e kësaj qendre u vlerësuan si të rëndësishme për identifikimin e nevojave dhe përcaktimin e prioriteteve për një sistem arsimor gjithëpërfshirës.

Gjatë bashkëbisedimit me mësimdhënësit, ministri Çeku theksoi se strategjia e re duhet të mbështetet në nevojat reale të shkollave dhe përvojën e drejtpërdrejtë të komunitetit arsimor. Ai nënvizoi rëndësinë e përfshirjes së mësimdhënësve në vendimmarrje, mbështetjes së vazhdueshme profesionale dhe krijimit të mundësive për avancim në karrierë.

Ndërkaq, kryetari i SBAShK-ut, Rrahman Jasharaj, vlerësoi bashkëpunimin me Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës dhe shprehu gatishmërinë e sindikatës për të kontribuar në hartimin e strategjisë, duke theksuar edhe nevojën për përmirësimin e kushteve të punës për punonjësit e arsimit.

Mësimdhënësit e pranishëm ndanë përvojat e tyre profesionale, ngritën shqetësimet lidhur me sfidat në institucionet arsimore dhe paraqitën propozime që synojnë përmirësimin e sistemit të arsimit.

Pas përfundimit të konsultimeve në rajonin e Ferizajt dhe në Prishtinë, takimet do të vazhdojnë edhe në rajonin e Gjakovës. Rekomandimet e mbledhura nga mësimdhënësit në të gjitha rajonet e Kosovës do të shërbejnë si bazë për hartimin e Strategjisë së Arsimit 2035+./KultPlus.com

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit