Reshjet e borës kanë shkaktuar ndërprerje të furnizimit me energji elektrike në dhjetëra vendbanime në Maqedoni, ndërsa në disa rrugë qarkullimi po zhvillohet me vështirësi për shkak të kushteve dimërore.
Sipas informacioneve të Qendrës për Menaxhimin e Krizave (QMK), deri në orën 13:30, problemet më të mëdha janë regjistruar në rajonin e Tetovës dhe Gostivarit, ku ekipet janë në terren dhe po punojnë intensivisht për pastrimin e rrugëve drejt vendbanimeve malore.
Pa energji elektrike kanë mbetur Popova Shapka (Kodra e Diellit), Liseci, Gajre, Çelopaku i Epërm dhe i Poshtëm, Miletino, Kamenjani, Pallçishti dhe Kalniku.
Numri më i madh i ndërprerjeve të energjisë elektrike është regjistruar në rajonin e Gostivarit, ku pa rrymë kanë mbetur Vërtoku, Novo Sella, Cvetkova, Cerova, Reçani, Bellovishti, Zdunja, Gradeci, Banja e Epërme dhe e Poshtme, Sushica, Gjonovica, Kunova, Trnova, Trnica, Vërbjana, Sençja, Volkovia, Nistrova dhe Belica.
Nga QMK bëjnë të ditur se pritet që rrugët drejt vendbanimeve më të larta malore në rajonin e Gostivarit të bëhen të kalueshme në periudhën nga ora 16:00 deri në 17:00.
Edhe në Mavrovë dhe Rostushë makineria është në terren, ndërsa në pjesën e Mavrovës ka rënë një sasi më e madhe e borës.








