Çairi përmbylli verën kulturore me koncertin e Orkestrës Rinore të Ballkanit Perëndimor

Advertisement

Komuna e Çairit përmbylli sonte programin e verës kulturore me koncertin e Orkestrës Rinore të Ballkanit Perëndimor, në edicionin e 14-të të festivalit “Skena e Muzikës Serioze Shqiptare”. Nën drejtimin e dirigjentit Desar Sulejmani, muzikantë të rinj nga vendet e Ballkanit Perëndimor sollën në Sheshin “Skënderbeu” një mbrëmje të veçantë të muzikës klasike.

Që nga 1 qershori, Sheshi “Skënderbeu” dhe Çarshia e Vjetër e Shkupit kanë qenë skenë e një programi të pasur kulturor, me muzikë shqipe e folklorike, muzikë klasike, teatër, film, aktivitete për fëmijë dhe ngjarje të tjera për publikun e çdo moshe. Këtë verë u organizuan për herë të parë edhe Panairi i Librit Shqip dhe Festivali Ndërkombëtar i Muzikës “Çarshia”, dy ngjarje që i dhanë një dimension të ri jetës kulturore të Çairit dhe Shkupit.

Përmes këtyre aktiviteteve, Sheshi “Skënderbeu” dhe Çarshia e Vjetër u shndërruan në pika takimi për artistë, autorë, muzikantë dhe vizitorë nga vendi dhe rajoni. Gjallërimi i hapësirave publike, ngritja e nivelit artistik dhe pasurimi i ofertës kulturore janë pjesë e vizionit për një Çair urban dhe modern, ku kultura zë një vend të rëndësishëm në zhvillimin e komunës.

Komuna e Çairit do të vazhdojë mbështetjen dhe zhvillimin e programeve kulturore, me synimin që ngjarjet e nisura dhe të zhvilluara këtë verë të konsolidohen, të kthehen në traditë dhe të kontribuojnë në potencialin kulturor dhe turistik të Çairit dhe Çarshisë së Vjetër.

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit