Bunker me euro në kufi: Dogana kap gjysmë milioni të fshehura në minibus

 

Drejtori i Administratës Doganore të Maqedonisë së Veriut, Boban Nikolovski, ka njoftuar një nga sekuestrimet më të mëdha të realizuara ndonjëherë nga shërbimet doganore, pas zbulimit të një tentative për kontrabandë të rreth 500 mijë eurove në pikën kufitare Bllacë–Bllacë përcjell ora24.tv

Sipas deklaratës së drejtorit, rasti është identifikuar gjatë një kontrolli të detajuar të një minibusi me targa të Shqipërisë, i cili transportonte shtatë pasagjerë dhe i përkiste një agjencie turistike.

Gjatë operacionit, ekipi mobil K9 dhe shërbimet e skanerëve mobilë kanë konstatuar modifikime të dyshimta në automjet. Qeni zyrtar ka sinjalizuar praninë e mundshme të kontrabandës në një pjesë të fshehur të minibusit, çka ka çuar në kontroll të thelluar.

Më pas, gjatë inspektimit janë zbuluar 14 kese të tejduksme të fshehura në një bunker të ndërtuar posaçërisht, ku ndodheshin qindra mijëra euro të paketuara në mënyrë të organizuar.

Automjeti dhe paratë janë sekuestruar, ndërsa drejtuesi i minibusit, shtetas i Shqipërisë me iniciale Xh.G., është proceduar penalisht. Për rastin tashmë është marrë edhe vendim nga Gjykata Themelore në Kumanovë.

Drejtori Nikolovski theksoi se ky është një nga rastet më të mëdha të zbuluara deri më sot dhe një dëshmi e qartë e profesionalizmit të ekipeve doganore.

Ai shtoi se çdo tentativë për transport të paligjshëm të valutës dhe kontrabandë do të trajtohet me ashpërsinë më të madhe ligjore.

https://www.facebook.com/share/v/1Dn6SZSZTM/

 

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit