Blerim Idrizi ka njoftuar se ka dhënë dorëheqje të parevokueshme nga funksioni i anëtarit të Këshillit të Përgjithshëm të BDI-së, duke bërë të ditur njëkohësisht edhe ndërprerjen e aktivitetit të tij partiak.
Në një njoftim publik, Idrizi thekson se vendimin e ka marrë për arsye personale, por edhe parimore, duke vlerësuar se është koha që funksioni i tij t’u lihet aktivistëve të tjerë që, sipas tij, mund të japin një kontribut më efektiv.
Ai shprehet se, pas humbjes së BDI-së në zgjedhjet lokale dhe ristrukturimeve në degët e partisë, nuk e sheh të arsyeshme të vazhdojë të jetë pjesë e organeve më të larta të saj.
Idrizi vlerëson se kontributi i tij në parti ka qenë “i sinqertë, transparent dhe i palëkundur”, ndërsa shton se gjatë angazhimit politik është përballur edhe me shpifje dhe përpjekje për njollosjen e figurës së tij.
Pavarësisht largimit nga funksionet partiake, ai shpreh respekt për kryetarin e BDI-së, duke theksuar se Ali Ahmeti do të mbetet gjithmonë mik dhe një personalitet që gëzon respektin e tij për vlerat që përfaqëson.
Në fund të mesazhit, Blerim Idrizi falënderon bashkëpunëtorët për mbështetjen ndër vite dhe i uron BDI-së dhe Ali Ahmetit suksese, shëndet dhe mbarësi në vazhdim.






