Blerim Bexheti ka reaguar ndaj kallëzimit të ngritur penal kundër tij për keqpërdorim të detyrës zyrtare

Deputeti i BDI-së, njëherit ish kryetar i komunës së Sarajit, Blerim Bexheti ka reaguar ndaj kallëzimit të ngritur penal kundër tij për keqpërdorim të detyrës zyrtare. Bexheti shprehet se kallëzimi është thjesht presion politik dhe qëllim për ta shantazhuar. Për këtë, Bexheti bazohet edhe në deklaratën e kryeministrit Mickoski ditë më parë kur tha se ka ndjesi se do të ketë përndjekje penale kundër ish krerëve të lartë të politikës.

“Kur kallëzimet paralajmërohen nga politika dhe realizohen nga institucionet, atëherë kemi një problem serioz me mënyrën si funksionon shteti. Por le ta kenë të qartë: unë nuk ndalem. Nuk shantazhohem. Nuk tërhiqem. Këto janë përpjekje për të heshtur zërin politik që nuk pranon të nënshtrohet. Sa për ata që sot mendojnë se mund të ndërtojnë pushtet përmes kontrollit dhe frikës: Po ju them SVLEN!”, tha Blerim Bexheti në rrjetin e tij Facebook.

Nga Ministria e Punëve të Brendshme njoftuan se Bexheti bashkë me një zyrtar nga Qyteti i Shkupit, kanë mundësuar që një kompani nga fshati Krushopek të përfitojë në mënyrë të paligjshme mbi 700 mijë euro. Sipas MPB-së, Bexheti në periudhën tetor 2022 – mars 2023, në kundërshtim me ligjin, dy herë ka miratuar vendim për regjimin e qarkullimit dhe ndryshim të vendimit në bazë të kërkesave nga kompania nga Krushopeki në kundërshtim me planin urbanistik për fshatin Gllumovë.

Ky kallëzim nuk është i vetmi kundër Bexhetit. Kundër tij kallëzim penal u ngrit edhe në nëntor të vitit të kaluar, por nga policia financiare. Bexheti dyshohej se ka falsifikuar dokumente afariste duke dhënë leje ndërtimi me përmbajtje të rreme për një parcelë pa plan urbanistik të miratuar. Edhe këtë kallëzim, Bexheti e quajti të motivuar politikisht./Alsat.mk.

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit