Kryetari i Këshillit të Qytetit të Shkupit nga radhët e VLEN-it, Zekerija Berisha, ka bërë të ditur se grupi i këshilltarëve të kësaj partie ka mbështetur rebalancin e buxhetit të Qytetit të Shkupit.
Sipas Berishës, vota e këshilltarëve të VLEN-it ishte në mbështetje të projekteve në fusha të ndryshme, përfshirë infrastrukturën, arsimin, sportin, kulturën dhe higjienën publike.
“Në Këshillin e Qytetit ne nuk votojmë thjesht për numra dhe dokumente, por për projekte që përmirësojnë jetën e qytetarëve. Mbështetëm rebalancin sepse ai përfshin investime konkrete në infrastrukturë, shkolla, sport, kulturë dhe hapësira publike”, deklaroi Berisha.
Ndër projektet e përfshira është ndërtimi i një ure dhe lidhjeje të re rrugore në Komunën e Sarajit, që synon të përmirësojë qarkullimin dhe lidhjen e kësaj pjese me Shkupin.
Gjithashtu, sipas Berishës, janë mbështetur investime në rikonstruksionin e rrugëve në komunat e Shkupit, shkollat e mesme, pajisje dhe kabinete të reja shkollore, si dhe terrene sportive, zona fitnesi dhe hapësira rekreative për të rinjtë.
Në kuadër të rebalancit janë përfshirë edhe programe për nxënësit e shkollave të mesme, aktivitete sportive dhe rekreative, mbështetje për pacientët onkologjikë, pastrimi i deponive dhe përmirësimi i higjienës së qytetit.
Në fushën e kulturës, Berisha tha se janë mbështetur institucione dhe projekte që lidhen me përgatitjet për Shkupin – Kryeqyteti Evropian i Kulturës 2028. Në këtë kuadër përmendi edhe Planetariumin, kinemanë “Millennium” dhe hapësira të tjera për aktivitete kulturore.
“Për ne në VLEN, vota në Këshillin e Qytetit nuk është formalitet. Çdo votë duhet të shndërrohet në punë, investim dhe rezultat të prekshëm për qytetarët e Shkupit”, theksoi Berisha.






