Zëvendëskryeministri Bekim Sali ka mirëpritur vendimin për suspendimin e gjashtë policëve, pas rastit të dhunës së tepruar ndaj dy shqiptarëve, duke e cilësuar këtë si dëshmi se shteti i së drejtës dhe institucionet funksionojnë.
Sali theksoi se çdo rast i tejkalimit të kompetencave dhe përdorimit të dhunës duhet të trajtohet me seriozitet, pa dallime dhe pa përjashtime, duke nënvizuar se askush nuk mund të jetë mbi ligjin.
“Askush nuk duhet të mbajë përgjegjësi për shkak të përkatësisë së tij, por secili duhet të përgjigjet për veprimet e veta”, theksoi Sali.
Ai shtoi se mënyra se si reagojnë institucionet është thelbësore për funksionimin e shtetit të së drejtës, duke vlerësuar se hetimi i rasteve, marrja e masave dhe kërkimi i përgjegjësisë në kohë dëshmojnë se ligji duhet të vlejë njësoj për të gjithë.
Në fund, zëvendëskryeministri Sali ritheksoi se drejtësia, barazia dhe përgjegjësia duhet të zbatohen në praktikë, duke përcjellë mesazhin: “Askush nuk është mbi ligjin!”








