BE-ja reagon për Ibrin: “Deklaratat për ndryshimin e rrjedhës duhet të shmangen”

Advertisement

Bashkimi Evropian ka reaguar ndaj deklaratave për mundësinë e ndryshimit të rrjedhës së lumit Ibër, duke bërë thirrje që të shmangen deklaratat dhe veprimet që mund të pengojnë normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Një zëdhënës i Komisionit Evropian tha se përparimi në normalizimin e marrëdhënieve mes Prishtinës dhe Beogradit mund të arrihet vetëm përmes dialogut.

“Deklaratat, përfshirë ato për ndryshime të mundshme të rrjedhës së lumit, dhe veprimet që nuk e mbështesin këtë synim duhet të shmangen”, thuhet në përgjigjen e Komisionit Evropian për Radion Evropa e Lirë.

Reagimi i BE-së vjen pas deklaratave të presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, më 9 gusht, se autoritetet serbe po shqyrtojnë me ekspertë mundësinë e ndryshimit të rrjedhës së Ibrit. Vuçiq e lidhi këtë çështje me rrënimin e shtëpive dhe vilave të serbëve pranë Liqenit të Ujmanit, në veri të Kosovës.

Deklaratat kanë shkaktuar reagime nga zyrtarë të Kosovës, ndërsa më pas kanë nxitur edhe përplasje publike mes zyrtarëve shqiptarë dhe serbë.

Komisioni Evropian rikujtoi se përparimi në dialogun ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës është një nga kushtet për avancimin e të dyja palëve në rrugën drejt Bashkimit Evropian.

Sa i përket situatës në zonën e Liqenit të Gazivodës/Ujmanit, BE-ja tha se tashmë ka shprehur shqetësimin për rrënimet e fundit.

Sipas Komisionit Evropian, çdo masë që mund të ketë pasoja të pakthyeshme duhet të zbatohet në përputhje me procedurat ligjore. Personave të prekur, siç theksohet, duhet t’u mundësohet mbrojtje efektive ligjore dhe, kur është e nevojshme, mbrojtje e përkohshme gjyqësore para zbatimit të masave.

Lumi Ibër është rreth 270 kilometra i gjatë. Ai buron në Mal të Zi, kalon nëpër Serbi dhe më pas hyn në Kosovë, duke furnizuar Liqenin e Ujmanit. Rreth dy të tretat e sipërfaqes së këtij liqeni ndodhen në territorin e Kosovës.

Sistemi i Ujmanit dhe Ibër-Lepencit përdoret për furnizimin me ujë të disa komunave, për ujitje dhe për ftohjen e termocentraleve në Obiliq.

Ekspertët kanë vlerësuar se ndryshimi i rrjedhës së Ibrit është teknikisht i mundshëm, por do të ishte një projekt jashtëzakonisht i kushtueshëm. Sipas tyre, nëse një veprim i tillë do t’i shkaktonte dëme Kosovës, ai mund të binte ndesh me parimet e së drejtës ndërkombëtare për ujërat ndërkufitare.

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit