Kumtesa e VLEN-it nuk përmban asnjë përgjigje të vetme ndaj argumenteve juridike dhe fakteve të paraqitura në letrën e kryetarit Ali Ahmeti. Asnjë kundërshtim konkret, asnjë dispozitë ligjore dhe asnjë argument që do të rrëzonte qëndrimet e tij. Përkundrazi, kemi të bëjmë me një reagim politik pa përmbajtje juridike, që duket se është përgatitur në qendrën e VMRO-DPMNE-së.
Përfaqësuesit e VLEN-it, para se të vinin në pushtet, deklaronin me të madhe se gjuha shqipe është gjuhë zyrtare, madje pretendonin se pikërisht ata e kishin bërë të tillë. Sot, për shkak të pafuqisë së tyre politike dhe mungesës së vullnetit për ta zbatuar ligjin, kanë përfunduar duke mbajtur qëndrime që përputhen me narrativat e kundërshtarëve më të mëdhenj të të drejtave gjuhësore të shqiptarëve.
Edhe më domethënës është fakti se VLEN nuk thotë asnjë fjalë për konstatimet e Inspektoratit për Përdorimin e Gjuhëve, të cilat përputhen me argumentet e Ali Ahmetit. Ligji për përdorimin e gjuhëve është i qartë dhe konsistent, ai duhet të zbatohet në të gjitha fushat që i mbulon, përfshirë edhe provimet profesionale shtetërore.
Prandaj, deklaratat e Ali Ahmetit përputhen me përmbajtjen e ligjit dhe gjendjen juridike ekzistuese, ndërsa qëndrimet e VLEN-it janë kontradiktore: dje shqipja ishte zyrtare, sot, kur duhet të dëshmojnë përgjegjësi dhe ta zbatojnë ligjin, përpiqen ta relativizojnë statusin e saj.
Gjuha shqipe nuk mbrohet me deklarata politike dhe me arsyetime për pafuqinë e pushtetit. Ajo mbrohet duke zbatuar ligjin dhe duke garantuar të drejtat që ai i përcakton.








