Rritja e çmimit të transportit ndërurban po rëndon gjithnjë e më shumë mbi qytetarët që udhëtojnë çdo ditë ndërmjet qyteteve, veçanërisht studentët dhe punonjësit. Për këtë ka reaguar Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI), duke kërkuar nga institucionet kompetente sqarim publik për arsyet e shtrenjtimit dhe masa për mbrojtjen e qytetarëve.
Sipas BDI-së, një nga shembujt konkretë është linja Tetovë–Shkup, ku çmimi i biletës është rritur nga 200 në 250 denarë. Partia e cilëson këtë si rritje prej 25 për qind për një udhëtim, e cila, sipas saj, krijon barrë të konsiderueshme financiare për personat që udhëtojnë çdo ditë.
“Për një student apo punonjës që udhëton çdo ditë, kjo nënkupton një barrë të konsiderueshme shtesë mujore”, thuhet në reagimin e BDI-së.
Partia thekson se, sipas të dhënave të paraqitura, shpenzimet mujore për transport janë rritur nga rreth 5.500 në 6.500 denarë, duke shtuar presionin mbi buxhetet familjare.
BDI e lidh rritjen e çmimeve me politikat e pushtetit dhe ngre pyetjen nëse kjo është ajo që, sipas saj, paraqitet si “kujdes për qytetarin”.
“Në vend që të krijohen politika për transport publik më të përballueshëm dhe për mbështetjen e studentëve e të punësuarve që udhëtojnë çdo ditë, qytetarët përballen me çmime gjithnjë e më të larta”, thuhet më tej në reagim.
BDI u ka bërë thirrje institucioneve kompetente që të japin sqarim publik për arsyet e rritjes së çmimeve dhe të ndërmarrin masa për të lehtësuar barrën financiare, me theks të veçantë te studentët dhe kategoritë që varen nga transporti ndërurban.
“Qytetarët nuk mund të jenë ata që paguajnë faturën e çdo dështimi të pushtetit”, përfundon reagimi i BDI-së.






