BDI shpreh qëndrimin e saj për ndryshimet e propozuara në Qeveri

Advertisement

Kuvendi pritet të votojë ndryshimet e reja qeveritare. Por ajo që po prezantohet si “rifreskim” i Qeverisë, në fakt është vetëm një riorganizim i dështimeve dhe një konfirmim se interesat politike kanë përparësi ndaj interesit të qytetarëve.

Rasti i parë është Ministria e Shëndetësisë. Ministri aktual po largohet nga detyra pa realizuar pothuajse asnjë nga premtimet që VLEN ua dha qytetarëve gjatë fushatës zgjedhore. As reforma, as investime të premtuara, as përmirësim i shërbimeve shëndetësore. Pas një viti dështimesh, përgjigjja e vetme e Qeverisë është zëvendësimi i ministrit, jo korrigjimi i politikave të gabuara.
Qytetarët me të drejtë pyesin: Ku mbetën 74 milionëEuro për Spitalin klinik në Tetovë? Ku mbeti parku memorial për spitalin modular?

Poashtu,

Kur jemi te Ministria e Shëndetësisë, largimi i ministrit nuk është rezultat i përmbushjes së objektivave, por pranim i dështimit të plotë. Ministri largohet pa realizuar asnjë nga premtimet kryesore me të cilat VLEN kërkoi votën e qytetarëve.

VLEN premtoi:

* ndërtimin e gjashtë spitaleve rajonale në rajonet ku jetojnë shqiptarët;
* ndërtimin e Qendrës Klinike Universitare (spital terciar) në Tetovë, si qendër moderne për të gjithë rajonin perëndimor;
* kontrolle shëndetësore falas një herë në vit për çdo qytetar;
* pajisjen e çdo komune shqiptare me qendër të urgjencës dhe autoambulancë;
* hapjen e një qendre për trajtimin e plagëve dhe djegieve, në mënyrë që pacientët të mos detyrohen të kërkojnë trajtim jashtë vendit.

Sot, pas më shumë se dy vite qeverisje, asnjë prej këtyre premtimeve nuk është bërë realitet. Nuk ka gjashtë spitale rajonale, nuk ka Qendër Klinike Universitare në Tetovë, nuk ka kontrolle shëndetësore falas për të gjithë qytetarët, komunat nuk janë pajisur me qendra urgjence dhe autoambulanca sipas zotimit, ndërsa qendra e specializuar për trajtimin e plagëve dhe djegieve mbetet vetëm një premtim i pambajtur.

Prandaj, largimi i ministrit nuk është reformë dhe as përgjegjësi politike. Është pranimi publik se VLEN dështoi të mbajë fjalën e dhënë në sektorin e shëndetësisë. Nuk ndryshohet dështimi duke zëvendësuar ministrin; dështimi mbetet, sepse premtimet ndaj qytetarëve u shkelën njëra pas tjetrës.

Shqetësues është edhe emërimi i Ivan Stoilkoviqit në krye të Ministrisë së Vetëqeverisjes Lokale. Bëhet fjalë për të njëjtin ministër që, në krye të Ministrisë për Marrëdhënie Ndërmjet Bashkësive, institucionit përgjegjës për zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit, për më shumë se dy vite radhazi lejoi që buxheti i kësaj ministrie të zvogëlohej për 3 herë. Sot, i njëjti person gradohet dhe do të jetë ministri përgjegjës edhe për komunat, përfshirë ato që udhëhiqen nga dy bashkëkryetarët e VLEN-it, Bilall Kasami dhe Izet Mexhiti. Bilall Kasami dhe Izet Mexhiti tani de jure do të jenë vartës të Stoilkoviqit.

Kjo është një ironi politike. Ata që pretendonin se do të mbronin interesat e shqiptarëve, sot vendosen nën mbikëqyrjen politike të një ministri që nuk mbrojti as institucionin përgjegjës për Marrëveshjen e Ohrit.

Po aq problematik është edhe propozimi për Ministrinë e Drejtësisë. Personi i propozuar njihet për afërsinë e tij me Karakamishevën dhe për faktin se ishte ndër zërat më të fuqishëm akademikë që avokuan në mbështetje të ligjit më skandaloz të kësaj qeverie – të ashtuquajturit Ligj për përfaqësim të drejtë dhe adekuat, një ligj pa kuota etnike, pa mekanizma zbatimi dhe pa sanksione për institucionet që diskriminojnë.

Ky nuk është një ligj që garanton përfaqësim. Ky është një ligj që legalizon shmangien e përfaqësimit.

Prandaj, emërimi i një prej mbrojtësve të këtij koncepti në krye të Ministrisë së Drejtësisë është një mesazh politik shumë i qartë: kjo Qeveri nuk synon ta forcojë shtetin e së drejtës dhe as ta mbrojë frymën e Marrëveshjes së Ohrit, por ta relativizojë atë.

Këto ndryshime nuk sjellin një qeveri më të mirë. Ato vetëm konfirmojnë se VLEN ka braktisur premtimet ndaj shqiptarëve dhe është shndërruar në një instrument për realizimin e agjendës së partnerëve të tij të koalicionit.

Bashkimi Demokratik për Integrim do të vazhdojë ta mbrojë Marrëveshjen e Ohrit, përfaqësimin e drejtë dhe adekuat dhe interesin e qytetarëve, duke kundërshtuar çdo përpjekje për dobësimin e të drejtave të fituara dhe të institucioneve që i garantojnë ato.

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit