Përmes një kumtese, Bashkimi Demokratik për Integrim përshëndet Raportin e Komisionit Evropian ku konfirmohet se edhe përkundër obstruksioneve dhe bllokadave nga ana e opozitës, por edhe krizave energjetike, të sigurisë, financiare, etj, Republika e Maqedonisë së Veriut po përmbush kushtet për të vazhduar rrugën drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.
Nga BDI thonë se sipas raportit të KE-së është arritur progres deri në 81% të Kapitujve dhe nuk ka regres tek asnjë kapitull dhe sa i përket gatishmërisë së Kapitujve, ekziston një nivel adekuat të gatishmërisë deri në 90%.
“Bashkimi Demokratik për Integrim vlerëson se Raporti i Komisionit Evropian tregon qartë se pengesat kryesore për progres janë pikërisht partitë opozitare të cilat po bllokojnë ndryshimet kushtetuese dhe rrugën evropianë të vendit. Shënohet progres i madh gjithashtu për arsye se Bashkimi Evropian shpalli Pakon për zgjerimin e unionit dhe planin për rritjen e ekonomive të Ballkanit Perëndimor dhe me këtë plan, vendi ynë ka në dispozicion një miliardë euro dhe duke vazhduar me reformat dhe procesin e integrimit, pas pesë muajve do të kemi transferimin e parë nga kjo Pako e re”, thuhet në njoftimin e BDI-së.
Nga kjo parti bëjnë thirrje ndaj të gjithëve që të kontribuojnë që vendi të përfundojë me sukses sfidën e re më të madhe që nga pavarësia sepse nuk ka alternativë tjetër për të pasur një jetë më prespektive tek ne.