BDI: Izeti mbi 6500 ditë në poste shtetërore, mbi 8000 ditë në BDI

Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) ka reaguar ashpër ndaj deklaratave të fundit të përfaqësuesve të VLEN-it, duke i akuzuar për gjuhë të ulët politike dhe shmangie nga çështjet thelbësore që, sipas tyre, prekin drejtpërdrejt të drejtat e shqiptarëve në vend.

Në reagimin e saj, BDI thekson se Marrëveshja e Ohrit nuk është produkt i mandateve politike, por një kompromis i arritur mbi sakrificë dhe gjak, duke e cilësuar atë si themel të shtetit të përbashkët dhe bashkëjetesës ndëretnike. Sipas kësaj partie, pikërisht për këtë arsye, marrëveshja mbrohet në të gjitha nivelet, nga Shkupi deri në qendrat ndërkombëtare si Brukseli dhe Washingtoni.

Duke iu përgjigjur akuzave për “karrigaxhinj”, BDI ka përmendur drejtpërdrejt figurën e Izet Mexhitit, duke theksuar se ai ka kaluar mbi 6.500 ditë në poste shtetërore dhe mbi 8.000 ditë si pjesë e partisë.

Reagimi i plotë i BDI-së:

IZETI MBI 6.500 DITË NË POSTE SHTETËRORE, MBI 8.000 DITË BRENDA BDI-SË.
KËTO VITE NUK I PATI PROBLEM. U BËNË PROBLEM VETËM KUR NUK I MJAFTUAN MË.

Në ditën kur kujtojmë ata që dhanë jetën për dinjitet dhe barazi, Vlen zgjedh gjuhën e ulët dhe baltën. Kjo flet më shumë për ta sesa për ne.

Marrëveshja e Ohrit nuk është produkt mandatesh.
Është kompromis i arritur mbi gjak, mbi sakrificë dhe mbi një vizion për një shtet të përbashkët.

Kjo është arsyeja pse mbrohet në çdo forum në Shkup, në Bruksel, në Washington.

Ata flasin për “karrigaxhinj”.
Le të flasim me standardin e tyre: Izeti, mbi 6.500 ditë në poste, mbi 8.000 ditë brenda BDI-së.
Këto vite nuk i pati problem. U bënë problem vetëm kur nuk i mjaftuan më.

Por thelbi nuk është e kaluara.
Thelbi është sot.

Sot, kur Marrëveshja e Ohrit po gërryhet hap pas hapi,
kur balancuesi anulohet,
kur gjuha sfidohet në praktikë,
ata zgjedhin heshtjen.

Dhe pastaj dalin e flasin për “mbrojtje të të drejtave”.

Vlen janë bërë shembulli i turpshëm i dorëzimit dhe kapjes.

Dëshmorët nuk ranë që dikush të heshtë përballë padrejtësisë.
Nuk ranë që dikush të negociojë dinjitetin për një vend në tryezë.

Ata ranë që ky popull të mos ketë më frikë të flasë.

Dhe ne do të flasim.

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit