Kryetari i Komisionit për Politikë të Jashtme dhe Tregti të Jashtme, Musa Xhaferi, në kuadër të vizitës së punës në Emiratet e Bashkuara Arabe, nga 24 deri më 26 nëntor 2026, zhvilloi një sërë takimesh dhe aktivitetesh të rëndësishme që synojnë thellimin e marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve.
Siç informojnë nga pres shërbimi i Kuvendit, para fillimit të aktiviteteve zyrtare, ai u takua me ambasadorin e Republikës së Maqedonisë së Veriut në Emiratet e Bashkuara Arabe, Abdulkadar Memedi, i cili më pas e shoqëroi gjatë qëndrimit të tij në Emiratet e Bashkuara Arabe.
“Në takimin me Dr. Ali Rashid Al Nuaimi, Kryetar i Komisionit për Mbrojtje, Punë të Brendshme dhe të Jashtme të Këshillit Nacional Federal, u diskutuan mundësitë për përmirësimin e mëtejshëm të marrëdhënieve, me theks të veçantë në bashkëpunimin parlamentar dhe dialogun institucional ndërmjet Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Këshillit Nacional Federal. U theksua rëndësia e shkëmbimit të përvojave parlamentare, vendosja e kontakteve më të ngushta ndërmjet trupave punuese dhe intensifikimi i vizitave të ndërsjella. Vëmendje e veçantë iu kushtua edhe zgjerimit të bashkëpunimit ekonomik, rritjes së shkëmbimit tregtar dhe inkurajimit të investimeve të reja”, thuhet në kumtesën e pres shërbimit të Kuvendit.

Pas takimit, Kryetari i Komisionit, Xhaferi dhe Ambasadori Memedi morën pjesë në hapjen ceremoniale të seancës së 4-t të rregullt të mandatit të 18-të legjislativ të Këshillit Nacional Federal. Seanca u hap në prani të përfaqësuesve të lartë të udhëheqjes shtetërore të Emirateve të Bashkuara Arabe, përfshirë Sheik Mohamed bin Rashid Al Maktum, zëvendëskryetar dhe kryeministër i Emirateve të Bashkuara Arabe dhe Sundimtar i Dubait, si dhe Sheik Mansur bin Zajed Al Nahjan, nënkryetar dhe zëvendëskryeministër i Emirateve të Bashkuara Arabe dhe kryetar i Pallatit Presidencial.
Xhaferi u takua edhe me sheikun Nahjan bin Mubarak Al Nahjan, ministër i Tolerancës dhe Bashkëjetesës së Emirateve të Bashkuara Arabe. Në takim u shkëmbyen mendime mbi promovimin e tolerancës, dialogut ndërkulturor dhe ndërfetar, respektin për diversitetin dhe ndërtimin e shoqërive të bazuara në bashkëjetesë, mirëkuptim dhe respekt të ndërsjellë. Këto vlera u theksuan si një bazë e rëndësishme për stabilitet, paqe dhe marrëdhënie të mira ndërmjet shteteve dhe popujve.

Kryetari i Komisionit, Xhaferi, u takua edhe me konsullin e Përgjithshëm të Republikës së Maqedonisë së Veriut në Stamboll, Idris Fazlioski. Në takimin në Stamboll u shkëmbyen informacione mbi aktivitetet e Konsullatës, përmirësimin e shërbimeve konsullore dhe mbështetjen për qytetarët e Maqedonisë, si dhe mbi mundësitë për forcimin e mëtejshëm të lidhjeve ekonomike, kulturore dhe të tjera.
Vizita e punës përfaqëson një kontribut të rëndësishëm në thellimin e marrëdhënieve diplomatike dhe bashkëpunimit parlamentar ndërmjet Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Emirateve të Bashkuara Arabe, si dhe në hapjen e mundësive të reja për bashkëpunim në fusha me interes të ndërsjellë.








