Bekim Saliu ka vlerësuar rëndësinë e nisjes së projektit të autostradës që lidh Maqedoninë e Veriut me Kosovën, duke theksuar se kjo rrugë përtej infrastrukturës, do të sjellë më shumë bashkëpunim dhe mundësi të reja për qytetarët e të dyja vendeve. “Çdo rrugë ka një fillim dhe një destinacion, por kjo rrugë ka edhe një mision: të afrojë njerëzit, të lidhë ekonomitë dhe të krijojë mundësi të reja për qytetarët tanë”, tha Saliu. Ai theksoi se me ndërtimin e kësaj rruge, Maqedonia e Veriut dhe Kosova do të jenë më afër jo vetëm në hartë, por edhe në ekonomi, bashkëpunim dhe në perspektivën e përbashkët evropiane. Sipas tij, pas vendosjes së sistemit One Stop Shop, projekti merr një rëndësi edhe më të madhe, duke e afruar funksionalisht Shkupin dhe Prishtinën. Saliu vlerësoi angazhimin e dy qeverive, ministrive përkatëse dhe partive politike për realizimin e projektit, duke shprehur shpresën që së shpejti të bëhet edhe përurimi i rrugës. “Nuk ndërtohet duke ngritur barriera, por duke ndërtuar lidhje. Qoftë kjo rrugë një shtytje e fuqishme për zhvillimin, bashkëpunimin dhe të ardhmen tonë të përbashkët”, përfundoi Saliu.






