3.8 C
Skopje

Autostrada Kërçovë-Ohër si të ishte nga mermeri – 9 milionë euro për një kilometër

Për ndërtimin e vetëm një kilometri të autostradës Kërçovë – Ohër janë shpenzuar 9 milionë euro, shkruan Alsat.

Këtë e tregojnë analizat e Entit Shtetëror të Revizionit për punën e Ndërmarrjes Publike për Rrugë Shtetërore për vitin 2022.

Përkundër kredisë shtesë prej 180 milionë dollarë, zvarritjet e ndërtimit edhe për 6 vite dhe rritjes së vlerës së kontratës për 45%, pjesa Kërçovë – Ohër prej rreth 56 kilometrash ende nuk është ndërtuar.

“Për ndërtimin e 1 kilometër të kësaj pjese rrugore deri në fund të vitit 2022 janë investuar afërsisht 9 milionë euro. Deri në nëntor të vitit 2023, fondet e investuara kapin një shumë prej rreth 575 milionë euro”, thuhet në analizën e Entit Shtetëror të Revizionit.

Arsyet kryesore të vonesës janë mangësitë e projektit, si dhe shpronësimet e vonuara, nevoja për zhvendosjen e objekteve infrastrukturore mbitokësore dhe nëntokësore.

Nuk ka pasur kuadër të mjaftueshëm, as makineri dhe pajisje të mjaftueshme të ofruara nga kontraktori, respektivisht nënkontraktorët.

“Deri në ditën e përfundimit të revizionit të nënaksit të parë, të dytë dhe të katërt të aksit Kërçovë-Ohër janë shfaqur 11 rrëshqitje të reja të tokës dhe mund të ketë ende…”, vazhdon tutje analiza e Entit Shtetëror të Revizionit.

Revizioni ka konstatuar parregullsi edhe në punën e Ndërmarrjes Publike të udhëhequr nga Ejup Rustemi, kuadër i BDI-së.

Pjesa më e madhe e pasurisë materiale e NP për Rrugët Shtetërore ose 46% i përket dokumentacioneve, shpronësimeve, ndërtimeve, rikonstruksionit dhe rehabilitimit të rrugëve dhe mbikëqyrjes.

“Nga viti 2015 deri në vitin 2022 është investuar në projekte dhe objekte të papërfunduara, kosto në bazë të normës së interesit, të njëhershme dhe provizione për mjete të pa tërhequra, shpronësime dhe shpenzime të tjera të panjohura, afërsisht 31 milionë euro për të cilat nuk dihet nevoja e prokurimit të tyre dhe vlera e përdorimit të tyre”, thuhet në këtë analizë.

Në revizionin e funksionimit të Ndërmarrjes Publike për Rrugët Shtetërore, po ashtu është konstatuar se paratë nga taksa rrugore nga regjistrimi i mjeteve motorike u kalojnë në mënyrë jo të plotë komunave, edhe pse ligjërisht u takojnë atyre.

Afërsisht 58 milionë euro nuk janë shpërndarë./

Lajme të ngjajshme

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Lajmet e fundit