“Artizanatet dhe Gruaja”, mbahet edicioni i shtatë që promovon traditën dhe krijimtarinë

Advertisement

Në ambientet e “Suli Anit”, gratë prezantuan ushqime tradicionale dhe punime artizanale, duke dëshmuar rolin e tyre në ruajtjen e trashëgimisë kulturore dhe përcjelljen e saj ndër breza.

Shkup, 3 tetor – Shoqata Kulturore “Porta Skupi” organizoi këtë të shtunë edicionin e shtatë të bazarit “Artizanatet dhe Gruaja”, me qëllim promovimin e vlerave tradicionale dhe të kontributit të grave në ruajtjen e trashëgimisë kulturore, shkruan gazeta KOHA.

Panairi njëditor, i mbajtur në ambientet e “Suli Anit”, mblodhi gra të profileve të ndryshme, të cilat prezantuan ushqime tradicionale dhe punime artizanale, të realizuara me mjeshtëri e përkushtim, duke sjellë para vizitorëve shije dhe teknika të trashëguara brez pas brezi.

Në hapjen solemne, kryetarja e shoqatës, Arlinda Kalisi, vuri në pah rolin e gruas në shoqëri dhe familje, duke theksuar rëndësinë e krijimtarisë, talentit dhe përkushtimit të saj.

“Kam kënaqësinë që sot jemi mbledhur këtu për të shënuar një ditë të veçantë, për të kremtuar gruan, krijimtarinë, talentin dhe përkushtimin e saj në shoqëri dhe familje. Ky është një aktivitet ku takohen tradita, kultura, arti dhe frymëzimi”, u shpreh Kalisi.

Profesoresha universitare dhe kryetarja e Rrjetit të Grave në Shkencë, Elizabeta Ollogu, vlerësoi rëndësinë e këtij manifestimi, duke theksuar se nisma të tilla krijojnë mundësi për bashkëpunim, mbështetje të ndërsjellë dhe përcjelljen e trashëgimisë kulturore te brezat e rinj.

“Ky aktivitet ka karakter të veçantë. Nisma të tilla u japin mundësi grave të krijojnë lidhje bashkëpunimi, të mbështesin njëra-tjetrën dhe të hapin dyer të reja. Uroj që ngjarje të tilla të shtohen sa më shumë dhe që ‘Artizanatet dhe Gruaja’ të vazhdojë edhe më tej. Mendoj se të gjitha së bashku mund ta bëjmë të mundur që atë që na kanë lënë brezat para nesh, t’ua përcjellim pasardhësve tanë, duke u bërë urë lidhëse mes brezave”, tha Ollogu.

Në mesin e pjesëmarrëseve ishte edhe profesoresha dhe psikologia Edlira Destani, e cila ndau pasionin e saj për artizanatin dhe foli për vlerat që mbartin punimet tradicionale.

“Artin që nënat dhe gjyshet tona na e kanë transmetuar përmes gjilpërës dhe grepit, në punime të bukura që dikur i shihnim kudo, në veshje, në dekorimin e shtëpisë dhe në gatim, sot e kuptojmë se bashkë me të na kanë përcjellë edhe dashurinë”, u shpreh Destani.

Manifestimin e përshëndetën gjithashtu mësuesja Shadije Vejseli dhe artistja Melisa Saliu.

Aktiviteti u shoqërua me muzikë, këngë, valle dhe ushqime tradicionale, duke krijuar një atmosferë festive dhe duke vënë në pah rëndësinë e ruajtjes së traditave dhe të promovimit të krijimtarisë së grave.

Përmes prezantimit të punimeve dhe shkëmbimit të përvojave, bazari solli në vëmendje edhe vlerën e artizanatit si pjesë e identitetit kulturor dhe si mundësi për afirmimin e talentit të grave. Në këtë ndërthurje të traditës me krijimtarinë, njohuritë e trashëguara nga nënat dhe gjyshet gjejnë hapësirë për t’u ruajtur dhe për t’u përcjellë më tej.

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit