31.8 C
Skopje
Sunday, June 15, 2025

Arben Fetai një derë e hapur për aktivistët, anëtarët dhe funksionarët që vazhdojnë me ndryshimin!

Shkup, 26 maj – Zëvendëskryeministri Arben Fetai, figurë qendrore nga radhët e Aleancës për Shqiptarët, është shndërruar së fundmi në një nga emrat më të lakuar të skenës politike në Maqedoninë e Veriut. Jo vetëm për shkak të pozitës së lartë institucionale, por më shumë për qëndrimin e tij të prerë dhe guximin për të marrë vendime në një moment kritik për partinë që përfaqëson, shkruan Zhurnal.

Fetai shpresë e vazhdimit të ndryshimit –

Në politikë, përgatitja profesionale është e domosdoshme, por jo e mjaftueshme. Rrallëherë ndodhet një ekuilibër i qëndrueshëm mes dijes teknike dhe guximit moral për të vepruar ndryshe kur rrethanat e kërkojnë. Arben Fetai e dëshmoi këtë kur refuzoi të ecë symbyllazi pas liderit të partisë, Arben Taravari, i cili kishte marrë vendimin për ta çuar ASH-në drejt një koalicioni me Bashkimin Demokratik për Integrim, pa një proces të hapur dhe pa një dakordësi të gjerë brenda partisë.

Ky vendim nuk ishte thjesht një ndarje taktike, ishte një deklarim strategjik që e pozicionon Fetain si përfaqësues të një linje të re politike brenda ASH-së një linjë që nuk sheh bashkëpunimin me BDI-në si rrugën për ndryshim, por si rikthim në një cikël politik tashmë të konsumuar.

Fetai përfaqëson atë brez të ri politikanësh shqiptarë në Maqedoninë e Veriut që nuk kërkon vetëm të jetë pjesë e sistemit, por të jetë faktor reformues brenda tij. Në këtë kuptim, qëndrimi i tij nuk është thjesht refuzim i një aleance të diskutueshme, por një thirrje e hapur për të gjithë ata aktivistë, funksionarë dhe anëtarë të zhgënjyer, të cilët ende besojnë në parimet e konkurrencës së ndershme, transparencës dhe besnikërisë ndaj elektoratit.

Nëse politika shqiptare në Maqedoninë e Veriut po hyn në një fazë të re pas zgjedhjeve të fundit, Arben Fetai është një nga zërat që mund të ndihmojë në orientimin e kësaj faze drejt një procesi më demokratik brenda partive shqiptare, dhe një angazhimi më të sinqertë ndaj interesave të votuesve.

Çfarë mbetet për t’u parë është nëse kjo derë e hapur do të çojë drejt ndërtimit të një platforme të re politike, apo do të mbetet një akt individual guximi në një sistem që rrallë shpërblen vetëdijen dhe integritetin politik. Por, me shumë gjasë e para do të gjejë zbatim. Pasi pas hapjes së derës së ndryshimit nga Fetai në këtë derë kanë trokitur e janë futur numër i madh i funksionarëve, anëtarëve dhe aktivistëve të vërtetë nga Aleanca për Shqiptarët.

Me Fetain janë rreshtuar degë të shumta, dy deputetë, shumë drejtorë, kryetarja e Forumit Rinor me një varg pa fund të rinjësh, kështu që ndikimi dhe pushteti politik e partiak i Arben Fetait dita e ditës po fuqizohet më shumë e më mirë. Prandaj, mbetet të shihen zhvillimet në vijim që do të orientojnë skenën politike në dy taborre të veçanta në kampin shqiptarë, gjë që është pozitive për votuesit edhe për faktorizimin e shqiptarëve. /Zhurnal.mk

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit