Propozim-ligji që parasheh që deputetët të kenë vetëm shtetësinë e Maqedonisë ka kaluar filtrin e parë parlamentar dhe është votuar që të bëhet pikë e rendit të ditës në seancën aktuale të Kuvendit. Përveç BDI-së, e cila publikisht ishte kundër, të gjithë të tjerët e mbështetën propozimin e një grupi deputetësh nga koalicioni qeverisës, në të cilin thuhet se deputeti duhet “të jetë shtetas vetëm i Republikës së Maqedonisë së Veriut”.
Antonio Milloshoski e arsyetoi propozimin dhe u dërgoi mesazh atyre që akuzojnë se ka deputetë me shtetësi të dyfishtë:
“Vlerësojmë se ky mënyrë e ngritjes së kritereve do ta rrisë besnikërinë jo vetëm ndaj Kuvendit, por edhe ndaj shtetit. Sa i përket spekulimeve politike, ne si pesë deputetë nënshkrues të këtij ligji e ftojmë këdo që mendon se ndonjëri prej nesh posedon shtetësi tjetër, të dalë publikisht, ta thotë këtë dhe pastaj ta dëshmojë në procedurë gjyqësore, ose të përballet me vendim për gënjeshtër dhe shpifje”, deklaroi ai.
Opozitarja LSDM nuk ishte kundër dhe vlerësoi se bëhet fjalë për një lëvizje marketingu nga pushteti, ndërsa lideri i saj, Venko Filipçe, kërkoi që kushti për një shtetësi të vlejë edhe për të gjithë funksionarët, ministrat dhe drejtorët e pushtetit ekzekutiv.
“Ky ligj do ta mbështesim dhe do të ndërhyjmë me amendamente që qartë, në nene dhe dispozita përfundimtare, të shkruhet se këto kritere do të vlejnë edhe për përbërjen aktuale parlamentare. Të gjithë deputetët do të duhet të japin deklaratë përkatëse nën përgjegjësi se nuk kanë shtetësi tjetër. Njëkohësisht do të përgatisim ligj që kjo të vlejë për të gjithë funksionarët e zgjedhur dhe të emëruar – të kenë vetëm një shtetësi maqedonase”, u shpreh ai.
Nga ana tjetër, BDI ishte kundër këtij propozimi të pushtetit, i cili u pranua nga pjesa më e madhe e opozitës.
“Ne mendojmë se si ligji për deputetët ashtu edhe ligji për qeverinë duhet të trajtohen në Komitetin për marrëdhënie ndërmjet bashkësive dhe aty të vendoset se si duhet të votohet për to”, deklaroi Arbana Pasholli, koordinatore e grupit parlamentar të BDI-së.
Propozim-ligji është në procedurë të shkurtuar dhe ka vetëm 4 nene. Ai vazhdon për debat në Komisionin për sistem politik dhe marrëdhënie ndërmjet bashkësive.



