Antoine de Saint-Exupéry, shkrimtari që i dha botës “Princin e Vogël” dhe mesazhet e përjetshme për jetën

Advertisement

KultPlus

Antoine de Saint-Exupéry, shkrimtari që i dha botës “Princin e Vogël” dhe mesazhet e përjetshme për jetën

12 July, 2026 – 14:00

 

 

“Ne nuk mund t’i ikim asaj që duhet të na ndodhë. Era do të na çojë në vendet që duhet t’i vizitojmë… Por mbaj mend – asgjë nuk është rastësi.”

 

Këto janë disa nga fjalët që lidhen me një prej shkrimtarëve më të dashur të letërsisë botërore, Antoine de Saint-Exupéry, autorin francez që me veprën e tij “Princi i Vogël” preku zemrat e miliona lexuesve në mbarë botën, shkruan KultPlus.

 

Saint-Exupéry lindi më 29 qershor 1900 në Lion të Francës. Përveçse shkrimtar, ai ishte gazetar, pilot ushtarak dhe eksplorues. Që në fëmijëri u magjeps nga aviacioni dhe fluturimin e parë e realizoi në moshën 12-vjeçare, pas këmbënguljes për t’u marrë në një udhëtim ajror nga një pilot.

 

Dashuria për fluturimin u bë një pjesë e pandashme e jetës së tij. Gjatë Luftës së Dytë Botërore, Saint-Exupéry shërbeu si pilot në aviacionin ushtarak francez dhe u nderua me Kryqin e Luftës për guximin e treguar.

Më 31 korrik 1944, avioni i tij nuk u kthye më në bazë gjatë një misioni zbulimi mbi Mesdhe. Ai ishte vetëm 44 vjeç. Shumë vite më vonë, në vitin 1998, pranë brigjeve të Marsejës u gjet një byzylyk argjendi me emrin e tij, një zbulim që riktheu emocionet për figurën e shkrimtarit të madh francez.

Vepra që e bëri të pavdekshëm është “Princi i Vogël”, një tregim filozofik i shkruar në vitin 1942 në një hotel në Nju Jork dhe botuar një vit më vonë. Libri, i ilustruar nga vetë autori, është përkthyer në më shumë se 250 gjuhë dhe është ndër veprat më të lexuara në historinë e letërsisë.

Edhe pse paraqitet si një përrallë për fëmijë, “Princi i Vogël” është në thelb një reflektim i thellë mbi dashurinë, miqësinë, vetminë, përgjegjësinë dhe mënyrën se si njerëzit e shohin botën.

Saint-Exupéry la pas edhe një mendim të fuqishëm mbi jetën dhe vlerën e gjërave të vogla. Në një lutje të shkruar gjatë një periudhe të vështirë të jetës së tij, ai kërkonte jo mrekulli, por “fuqinë e hapave të vegjël” – aftësinë për të dalluar të rëndësishmen, për të jetuar të tashmen dhe për të kuptuar se vështirësitë janë pjesë e rrugëtimit njerëzor.

Me veprën dhe filozofinë e tij, Antoine de Saint-Exupéry mbetet një nga figurat më të dashura të kulturës botërore, një shkrimtar që vazhdon t’u kujtojë brezave se “gjërat më të rëndësishme nuk shihen me sy, por me zemër”./KultPlus.com

 

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit